Pogradec - Dy të rinj nga Laçi kanë rënë në prangat e policisë në Pogradec pasi tentuan të vidhnin një argjendari në lagjen nr.5 të këtij qyteti. Ndërkohë një 29-vjeçar do të hetohet në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit të bluve ngjarja u shënua më 20 mars , ku të rinjtë në bashkëpunim me persona të tjerë kanë tentuar të hapin me forcë qepenin dhe të thyejnë xhamin e derës hyrëse të dyqanit - por nuk kanë mundur të marrin sende nga ky ambient.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë, në lagjen nr. 5, Pogradec, ku disa persona tentuan të vidhnin një argjendari, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Argjendaria”, për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.

Si rezultat i operacionit, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, shtetasit:

K. T., 23 vjeç, dhe B. M., 22 vjeç, banues në Mamurras, Laç.

Si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” ndaj një 29-vjeçari, për të cilin, për arsye hetimore, nuk mund të bëhen me dije hollësi të mëtejshme.

Nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e grumbulluara, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 20.03.2026, kanë tentuar të vjedhin argjendarinë në pronësi të shtetasit L. A., duke tentuar të hapin me forcë qepenin dhe duke thyer xhamin e derës hyrëse të dyqanit, por nuk kanë mundur të marrin sende nga ky ambient.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

____________________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë