Basha ka pyetur qytetarët për vështirësitë që kanë dhe ka ndarë me ata shqetësimin e papunësisë së lartë në vend. Kryetari Basha i ftoi të gjithë banorët veçanërisht të rinjtë të bëhen pjesë e protestës së opozitës ne 27 janar. Basha është shprehur se kjo protestë është kundër varfërisë, padrejtësive dhe aleancës së qeverisë me krimin.
Në takimin me demokratët e Pogradecit në 27 vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike Basha tha se pas gati 3 dekadash diktatura ideologjike është zëvendësuar me diktaturën e krimit të organizuar. Kreu i opozitës tha se qeveria aktuale nuk është maxhoranca reale, por krahu politik i përfaqësuesve të klaneve të krimit dhe drogës, Shullazit, Xhafajve, Habiljave, Baliljave.
Basha shpjegoi se për shkak të aleancës së qeverisë me krimin, Edi Rama nuk jep llogari para qytetarëve dhe punon kundër interesit të tyre. “Do të blejë 400 milionë makina luksi për veten e tij. Ka harxhuar 300 milionë euro për zyra, për udhëtime luksi dhe nuk gjen para për të blerë ilaçet për të sëmurët, nuk gjen para për të rritur pensionet siç ka premtuar 100 mijë lekë çdo vit”- tha Basha.
Basha u shpreh se protesta e 27 janarit do të jetë një mundësi që shqiptarët të ndryshojnë gjendjen aktuale të vendit dhe të hapin rrugë të re për Shqipërinë. “Nëse je i papunë dhe po mendon të largohesh, mos u largo! Eja me ne në sheshin e protestës!. Nëse je i ri dhe nuk gjen dot punë, mos e ul kokën, por bashkohu me ne në sheshin e protestës! Ta nisim ndryshimin e madh ditën e shtunë me 27 janar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa!”-tha Basha.
Kreu I Opozitës e mbylli duke thënë se një qeveri që punon për qytetarët dhe jo për një grusht njerëzish do ti lehtësojnë qytetarët nga faturat e dritave, të ulë të ulë çmimin e naftës, të ulë taksat dhe të investojë për hapjen e vendeve të reja të punës.
Redaksia Online
A.D/shqiptarja.com

VIDEO







