POGRADEC - Rikonstruksioni i harruar i unazës së qytetit të Pogradecit duket se pas shumë vitesh do të nisë për ti dhënë fund makthit të udhëtimit mes gropave dhe pluhurit.

Qindra familje të cilat bashkëjetojnë me këtë rrugë, mjete që e përshkojnë atë cdo ditë dhe një imazh i shëmtuar për qytetin e Pogradecit do të shohin dritën e punimeve të cilat u janë premtuar ndër vite.

Gjendja aktuale është konsideruar shqetësuese edhe nga prefekti i Korçës Ardit Konomi i cili ka pohuar se ngërçi i krijuar pritet të zgjidhet verën e ardhshme ndërsa aktualisht kalimi i kamionëve mes përmes qytetit mbetet një shqetësim për qytetarët. 

"Di që ka një aplikim tek fondi i zhvillimit të rajonit i cili është hedhur për tu marrë në konsideratë gjatë vitit 2015. Besoj që viti i ardhshëm e zgjidh këtë problem." tha Prefekti Konomi

Përballë liqenit dhe kontrastit të relievit që ofron qyteti i Pogradecit, infrastruktura e munguar në unazë mbetet shqetësim i pandarë për banorët të cilët në mënyrë të përsëritur apelojnë për zgjidhjen e këtij problemi. 

Mbi 6 aksidente me pasojë vdekjen janë regjistruar në Pogradec nga mjetet e tonazhit të rëndë të cilat kalojnë mes për mes qytetit pasi shmangin udhëtimin në unazën e shkatërruar vit pas viti.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)