Mbrëmja e se premtes në Odeonin e qytetit të Pogradecit solli emocione per publikun qe ndoqi me interes koncertin “Serenatë mbi Liqen”. Artistë të rinj dhe emra të njohur të muzikës interpretuan kenge te muzikes popullore qytetare.

Një ndër figurat që u ngjit në skenë ishte dirigjenti i Korit “Nostalgjia”, Jovan Shuke, i njohur ndryshe si “Xhuvi”.

Në këtë frymë u ngjitën në skenë edhe Lina Kyçyku dhe Almenda Sulollari, të cilat sollën për publikun jo vetëm interpretimin e tyre, por edhe rrëfime për lidhjen e thellë që qytetarët e Pogradecit kanë me serenatën, si një trashëgimi që mësohet në çdo familje qytetare.

Agim Dandallaku, pjesë e grupit “Nostalgjia”, solli në vëmendje historinë njëqindvjeçare të këngës së serenatës në Pogradec, duke evidentuar edhe dallimet e saj nga ajo korçare.

Pjesëmarrëse për herë të parë në një koncert të tillë ishte Viki Muçollari. E reja që e ka mësuar serenatën në shkollën e muzikës, theksoi se përfshirja e brezave të rinj është një nxitje për të mbajtur gjallë trashëgiminë.

Koncerti “Serenatë mbi Liqen” do të vijojë edhe mbrëmjen e se shtunes, me pjesëmarrjen e shumë artistëve.

Qindra qytetarë dhe vizitorë kanë zgjedhur ta kalojnë këtë fundjavë nën hijen e pishave dhe në shoqërinë e melodive të paharruara pogradecare.