Ky vendim ka ngjallur reagime të ish specialistëve e studiuesve të njohur të arkivave, të cilët mendojnë se mund të ketë humbje ose manipulime të arkivave, nëse privati ushtron veprimtarinë e tij mbi to.
Pika 2 e nenit 25 të Ligjit nr.9154, të 2003-shit e ka të shkruar që “Pasuritë, që administrohen në arkivat privatë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje nga shteti si ato të arkivave publikë.” Ndërsa dhënia e licencës për privatizmin e arkivave përveç që do të ruajë këtë status mbrojtës, do t’i jap të drejtën privatit të veprojë në këto arkiva. Në Vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave, me firmën e kryeministrit Edi Rama si më poshtë shkruhet:
“VENDIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 5, pika 3, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 25, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për licencimin e arkivave privatë”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesё përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Këshilli i Lartë i Arkivave dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare.”
Ky vendim i referohet nenit 25, ku citohet se “Arkivat privatë e ushtrojnë veprimtarinë e tyre pasi licensohen nga Këshilli i Lartë i Arkivave me propozimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Kriteret për licensim përcaktohen nga Këshilli i Ministrave”.
Studiuesi Kastriot Dervishi, ka bërë një reagim në rrjetin social facebook për këtë vendim, duke e quajtur “Model letonez komunist” futjen e privatit në arkivat shtetërore, që sipas tij “do shndërrohet në “arkivist” me magji”
I pyetur nga “Shqiptarja.com” për domethenien e këtij reagimi, Dervishi është përgjigjur se “Është një shkelje e ligjit të arkivave. Në asnjë rresht të ligjit (ekzistues) nuk i jepet e drejta privatit të administrojë apo përpunojë dokumentacion.
Në janar kanë miratuar një VKM, në një rresht të së cilës e kanë ligjëruar që privati mund të administrojë dokumentacionin shtetëror. Nëse nëse kjo ndodh, minimalisht do ketë humbje të mëdha dokumentesh dhe një çorganizim që nuk rregullohet më. Ajo që theksoj është se nuk kanë asnjë të drejtë të administrojnë dokumentacion shtetëror. ”, ka deklaruar Dervishi, duke theksuar më tej aktet nënligjore që pasojnë nga ky vendim.
“Mund të administrojnë, ruajnë e përpunojnë dhe dokumentacion të institucioneve shtetërore”, këto janë fjalët e VKM-së. Qëllimi i arkivave privatë nuk është biznesi, por administrimi i gjësë së vet. Këta nuk e kuptojnë se është vepër penale mosmbrojtja e arkivave”, është shprehur më tej Dervishi për “Shqiptarja.com”.
Kastriot Dervishi ka qenë ish drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme dhe i referohet përvojës së tij për mënyrën sesi funksionojnë arkivat. Çështja e kalimit të arkivave në dorë të privatit duket se do të mbetet një debat i hapur. Ndërkohë po botojmë të plotë, edhe shkrimin e Kastriot Dervishit që ka postuar në rrjetin social facebook, por ky nuk do të jetë reagimi.
(Faksimile e VKM të shpallur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Janar 2018)
d.b/shqiptarja.com

VIDEO









