Këngëtari i njohur grek Notis Sfakianakis ka falënderuar të gjithë shqiptarët që ishin të pranishëm në Pallatin e Kongreseve mbrëmjen e djeshme për të ndjekur koncertin e tij në Tiranë. Përmes një statusi në Facebook, ai shprehet se pjesëmarrja e madhe mbrëmë në koncert ishte përgjigja më e mirë pas polemikave.
Kjo ishte përgjigja më e mirë që iu dha të gjithëve, i gjithë “Pallati i Kongreseve” ishte mbushur plot dhe këndonin të gjithë këngët, të gjitha biletat ishin prenotuar.
Unë do të doja t’ju falënderoja të gjithëve, edhe pse nën presion, ishit në koncert dhe kënduat me mua. Njerëzit nuk dëgjojnë këdo që flet në media. Shpresoj që herët tjetër të jetë akoma më mirë, të argëtohemi dhe t’ia kalojmë shumë më bukur.
Faleminderit nga zemra.
Notis Sfakianakis
Ardhja e tij në Shqipëri shkaktoi jo pak polemika por ato mbetën vetëm në rrjetet sociale. Notis Sfakianakis njihet në Greqi si mbështetës i Agimit të Artë. Ai pak kohë më parë bëri disa deklarata kundër shqiptarëve duke i cilësuar ndër të tjera edhe si racë inferiore, por një ditë para koncertit e mohoi duke fajësuar median, që sipas tij kishte manipuluar deklaratën.