Mungesa e karburantit ka vënë në vështirësi policët e Policisë së Shtetit. Policët e Lezhës kanë filluar i bëjnë patrullimet në këmbë, pa automjet.
Makinat nuk i nxjerrin në qarkullim që prej një jave. Këtë e pohoi për emisionin "Fiks Fare" një nga efektivat e kësaj policie. Pra, për çdo ngjarje që ndodh në këtë qytetet që prej disa ditësh, policët e kanë të pamundur të shkojnë në vendngjarje, pasi nuk kanë karburant për të vënë në lëvizje automjetet.

Por ata paraqiten çdo ditë në punë dhe kryejnë shërbimin sipas turneve që janë ndarë. Edhe pse policia e këtij Qarku, ka mjetet e patrullës
në gjendje pune, një gjë e tillë u është privuar punonjësve të kësaj policie. Punonëjsi i policisë tregoi dje në "Fiks Fare" se të gjithë uniformat blu të
këtij qyteti kanë pothuajse një javë që shërbimin e tyre 24 orësh e kryejnë në këmbë. Sipas tij, "edhe pse mjetet e policisë janë në gjendje pune, ato nuk nxirren në punë dhe nuk iu jepen shërbimeve të patrullës, për shkak se nuk ka karburant. Dëshmitarë të lëvizjes së tyre në këmbë, janë bërë edhe qytetarët që shohin punonjësit e policisë në grupe nga tre veta, teksa kryejn patrullimin, pa patur asnjë mjet lëvizës. Një tjetër fenomen që po shfaqet në rradhët e policisë së Lezhës, kohët e fundit, kur policët e kanë të pamundur të shkojnë në vendngjarje, është mosregjistrimi i kallzimeve për vjedhje. Drejtoria e Policisë së Lezhës, duket se është një nga institucioent shtetërore që ndodhen në vështirësi kohët e fundit për shkak të mungesës së karburantit për automjetet që përdoren në ushtrimin e funksioneve shtetërore.

Derisa të mbyllen procedurat për furnizimin e karburant, policët e këtij qyteti e kanëgjetur zgjidhjen, mbylljen e automjeteve në ambjentet e drejtorisë së policisë dhe patrullimin me këmbë në rrugët e qytetit. Ndërsa në Tiranë, policët mundohen që të jenë në detyrë duke e furnizuar vetë makinat e patrullës me bidona. Kamera e "Fiks Fare" ka filmuar në rrugët e kryeqytetit një efektiv të policisë që furnizon makinën e policisë
duke përdorur një bidon dy litërsh. Makina është fikur në mes të rrugës siç duket për mungesë të karburantit dhe efektivi i policisë e furnizon makinën e shtetit me karburant të blerë nga ai vetë, të cilin e mban në një bidon dy litërsh.

Biseda e gazetarit të emisionit "Fiks fare" me punonjësin e policisë së Lezhës:
Fiksi: Pse në këmbë?
Polici: S'ka benzinë.
Fiksi: Sa ditë keni pa naftë?
Polici: 4 - 5 ditë.
Fiksi: A e përdorin vetë kuadrot?
Polici: Nuk di, nuk është duke u marr vesh. Vriten e priten vetëm kur të kërcasi.
Fiksi: Gjynah, duhet t'u japin naftë për të ikur në shtëpi
Polici: Gjynah, gjynah, vetëm policia nuk është e korruptuar në asnjë lloj gjëjë, ne p.sh ne. Qarkullimi është tjetër, kërkund në botë s'kena me çfarë të abuzojmë. Për çfarë të abuzojmë?
Fiksi: Sinqerisht, të mos kesh naftë sot ...
Polici: Gjynah.
Fiksi: E habitshme pra, kjo ndodh vetëm në Lezhë, se të tjerët nuk i shikon pa makina.
Polici: Nuk di gjë.
Fiksi: Po mjetet i keni të rregullta të paktën?
Polici: Po janë në rregull, në rregull, po s'ka naftë. S'ka naftë. Ça ke me thanë..
Fiksi: Po vjedhje nuk ka pasur të paktën ?
Polici: Ka vjedhje shumë, marë, marë, por nuk i regjistrojnë. Edhe këtu s'i regjistrojnë ma. S'i regjistron kush, ma troç muhabeti, ka 7 - 8 vjedhje në ditë.
Fiksi: Vinë e ankohen njerëz?
Polici: Vinë e ankohen e s'e rruan kush në botë.
Fiksi: Ishte kur ishte policia...
Polici: Jo mor edhe tashti ka polici, por abuzojnë me vjedhjet. A e kupton? Vetëm qarkullimi abuzon, derisa ai tjetri jep milionat për me shku atje, e ka një hall. Mua me ma fal krejt me shku atje, nuk shkoj. Qarkullim, gjykatë, prokurori, falja dreqit të tana.

(aq/shqiptarja.com)