ISH-KRYETARI I PD SE POLIÇANIT SHPRESON TEK RILINDJA: PUNESIMI SIPAS AFTESIVE APO BINDJEVE?
Ramës iu bënë pati disa pyetje nga qytetarët, por një pyetje specifike atij iu drejtua nga ish-kryetari i PD-së së Poliçanit, që sëbashku me një grup ish-demokratësh, e kishin braktisur këtë parti të zhgënjyer. Ish-demokrati tha: "Kam qënë kryetar i PD-së. E kam votuar Saliun dy herë. Por, unë me disa demokratë të Poliçanit jemi distancuar nga qeverisje dhe duke shpresuar që nën qeverinë tuaj nuk do ndodhë diskrimin, nuk do ngarkohen njerëz nëpër autobusa për të bredhur nëpër mitingje, se sot u ngarkuan katër autobusa se kishte Saliu miting në Çorovodë. Kur kam qënë kryetar i PD-së nuk kam pranuar të vijnë autobusë këtu. Pyetja ime është e thjeshtë: Nën qeverisjen tuaj, a do jetë punësimi sipas profesioneve që kanë njerëzit dhe jo bindjeve partiake?"
Kreu i PS-së iu përgjigj: "Të falenderoj për pyetjen dhe besoj se ndihesh mirë me ne. Edhe ne ndihemi mirë që demokratët, njerëzit e ndershëm dhe të thjeshtë, na besojmë. Ne e kemi mision ta shpëtojmë shtetin nga politika e kthetrave në fytin e çdo njeriu që punon për shtetitn. E kanë kthyer PD-në në kompani transporti. E më keq akoma, e kanë kthyer shtetin në mjet presioni. Jemi shumë të lumtur që takojmë njerëz që vijnë në sheshe nga dëshira që kanë në zemër për të na mbështetur, nga dëshira që kanë në zemër për të dhënë një dorë për Rilindjen. Kurse ata i mbushin sheshet me robër të pushtetit! Mësuese të marra rob, infermiere të marra rob!" Më thosh një miku im, drejtor në spital: Aman se kam ngelur vetëm në spital! Ju luta: më lini të paktën rojen, se kam të sëmurët këtu. E pyeta: Po të sëmurët i morën? Jo, se nuk u vajti mendja më duket", - rrëfeu Rama dhe shpjegoi: "Unë kam respekt për militantët! Por arsyeja që dikush duhet të merret në punë, duhet të jetë aftësia për t’i shërbyer punës dhe mbi të gjitha, ne duam që shtetit shqiptar t’i vëmë në dispozicion mendjen dhe aftësitë më të mira të këtij kombi, le të jenë ç’të duan në pikëpamjet e tyre. Na interesojnë të jenë të drejtë dhe të barabartë."
"BERISHA NUK TE JEP PARA NE DORE, POR TE RREMBEN EDHE FARAT E KUNGULLIT NGA XHEPI"
Premtimin e Berishës se do t'u japë fermerëve para në dorë për tvsh-në, ai e bëri të qartë se nuk është tjetër veçse mashtrim, pasi "ajo dorë jo vetëm që jep lekë, ajo dorë që e ka bërë "def" xhepin e shqiptarit, mund të të marrë jo lekët, por edhe farat e kungullit që të kanë mbetur në xhep.
Shqetësimi më i madh i banorëve të qarkut ishte rruga e Tomorrit, e cila nuk ishte ndërtuar. Kryesocialisti tha: " Pikërisht këtu në qarkun e Beratit, ka gënjeshtra jo me këmbë të shkurtra, por rrugë më këmbë të gjata. Ky nuk është gjyshi, por katra-gjyshi, se këtë e tregojnë ato dy katrat që ka në fletën e votimit. Premtoi se do ta bënte rrugën turistike të Tomorrit e nuk e bëri. Iu ngjita asaj rruge me makinë, ishte një tmerr. Po sikur të ishte vetëm ajo, do ishte gjysma e keqes. Këtë qytet, që është listuar në pasuritë e botës, më thoni: Cili komb do t’ia lejonte vetes braktisjen e këtij thesari?! Asnjë shtet, asnjë qeveri, vetëm këtu dhe vetëm me Saliun. Po kështu Kruja, po kështu Gjirokastra, të gjitha amanetet e të parëve që ky i propagandon me fjalë, po s’i ka bërë me vepra. Ndaj në qarkun e Beratit do bëjmë sa për 20 vjet të marra së bashku.
"KOMBINATI MEKANIK, SHKALLA ME E VOGEL KU PUNA BLIHET. PO Ç'NDODH NE KUPOLEN E POLICISE?"
Kombinati Mekanik i Poliçanit është e vetmja shpresë punësimi për banorët e zonës, por në të janë punësuar joprofesionistë, që po shkaktojnë edhe ndotjen e ambientit. Rama tha se "jo vetëm këtu në Kombinat, por në të gjitha institucionet, vendet e punës blihen. Këtë rast e denoncoi edhe një vajzë e re, që ishte e kualifikuar dhe guxoi ta denonconte këtë. Saliu duhet të japë llogari për këtë kur për një vend pune si mësuese në Labinot kërkohen 5 mijë euro! Po mendoni për më lart! Po në shkallët e Policisë së Shtetit, kupolës së ministrisë së Brendshme, që është e lidhur me botën kriminale! Kjo është kudo miku im dhe ajo që ne e shohim si sfidën më të madhe është t’u japim njerëzve mundësinë të punojnë, duke i gjetur punës, njeriun. Dhe të gjithë ata që janë larguar nga puna padrejtësisht, do të kthehen aty."
Në përfundim, kreu i opozitës premtoi: "Unë nuk po them sot se Poliçanin do ta bëj si Gjenevën! Unë nuk premtoj mrekullira, përralla nuk tregoj! Unë ju them shumë thjesht: se kur mbas katër vitesh të jemi këtu, shëndetësia do jetë bërë falas! Ndaj ne duam që ta lidhim qarkun e Beratit me botën! Me pjesën tjetër! Duke ndërtuar rrugë që këto distance të përshkohen me shpejtësi! Një nga arsyet që ky qark është i dërrmuar nga ana sociale dhe i braktisur sëbashku me Skraparin, është fakti se këtu duhet ta mendosh shtatë herë që të vish! Po mali i Tomorrit dhe kanionet janë pasuri kolosale. Kjo ndodh sepse këtu s’ka shtet! Në një vend në mes të Evropës ku mbetet problem kryesor uji, çfarë tjetër mund të diskutosh?! Ne ecim mbi ujë; kudo ku shpon del ujë dhe ne s’kemi ujë për të pirë! Kjo është mesjetë! Dhe habitet pastaj Saliu? Po ku jemi në raport me ujin? Se aty ndahet qytetërimi modern!"
RAMA NDALET NE FSHATIN KUTALLI: KARRIGEN BERISHES DO IA JAPIM ME 1 EURO, KURSE LSI DO T'IA DHUROJE
Pasditen e sotme, kryetari i PS-së është ndalur në fshatin Kutalli të Beratit. Ai u është ëprgjigjur pyetjeve të tyre të lidhura kryesisht me problemet e bujqësisë. Për naftën, ai shpjegoi se nuk është normale që të futet brenda çmimit të saj edhe taksa e qarkullimit përderisa traktori përdoret në fushë. “A e dëgjuat se çfarë tha tjetër sot Kryeministri? – pyeti Rama. – “ Do ta bëjmë Osumin të lundrueshëm. Në 2007-ën premtoi se do ndërtonte rrugën e Tomorrit dhe sot prapë e premtoi. Tha dhe një gjë të bukur: Do të ndërkombëtarizojmë rakinë e Skraparit pasi e shkatërroi totalisht komplet këtë qark.
Lidhur me karrigen e Berishës, kreu i PS-së tha: "Në këtë pikë kemi kontradikta me LSI-në: Ne duam t’ia japim karrigen me 1 euro, kurse ata thonë t’ia japim falas."
"NGA 300 MIJE VENDE PUNE QE SYNOJME, 150 MIJE DO TE JENE NE FSHAT"
Një student, banore e Kutallisë, e pyeti Ramën për çështjen e punësimit. Ai tha: “Do të krijojmë kushte për 300 mijë vende pune, nga të cilat 150 mijë në fshat. Përsa i përket vendeve të tjera, janë të ndara sipas programit. Keni dhe ju një piramidë këtu në Berat, se universitetet janë bërë si piramida. Asnjë zanat, asnjë shkollë për zanat nuk ka kur kemi nevojë për zanatet e tokës, prodhimit bujësor dhe blegtoral. Eksperiencën e mbajnë të moshuarit, por të rinjtë nuk i ndjekin pas. Ne synojmë që në universitete të shkojnë ata që e meritojnë, të tjerët të pasurohen me zanate. Ndaj do t’i stimulojmë jashtëzakonisht shumë, zanatet”.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)