Policët kinezë patrullojnë rrugët e Serbisë

Policët kinezë patrullojnë rrugët e Serbisë

Kina është eksportuesja më e madhe e mallrave të konsumit dhe po shton ndërkohë praninë edhe në fusha të tjera. Pekini ka dërguar së fundmi një kontigjent policësh në Serbi, për të ndihmuar forcat vendase në tre qytete. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, ky është shembulli më i fundit i bashkëpunimit në zgjerim mes Kinës dhe Serbisë.

Rreth një javë më parë, oficerë të policisë kineze patrullojnë pikat turistike në Beograd, së bashku me homologët e tyre serbë. Zyrtarët serbë thonë se përforcimet kineze janë të nevojshme për të ndihmuar me numrin e shtuar të vizitorëve nga Kina, si dhe të vetë kinezëve që banojnë në Serbi.

“Kemi vënë në dispozicion një numër telefoni për turistët kinezë dhe kinezët që banojnë këtu. Marrin në telefon nëse kanë nevojë për ndihmë dhe në ftojmë homologët serbë të shkojmë në komunitetet kineze, kompanitë kineze dhe institucionet”, thotë Jin Yao, oficer i policisë kineze.

Policët kinezë gjenden edhe pranë aeroportit “Nikola Tesla”, si dhe tek një qendër tregtare kineze në rrethinat e Beogradit. Oficerë të tjerë kinezë janë të vendosur në qytetet Novi Sad dhe Smederevo.

“Nuk kanë autoritet ligjor; vetëm na ndërlidhin me turistët që të komunikojmë më mirë”, thotë Zoran Jovanovic, oficer i policisë serbe.

Serbia ka patur marrëdhënie të ngushta me Kinën për shumë vite. Rreth 1400 kinezë jetojnë në kryeqytetin serb. Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Serbinë në vitin 2016. Dy vendet nënshkruan këtë vit disa marrëveshje të reja bashkëpunimi, ndër to edhe për ndihmën e Kinës për ndërtimin e një rrjeti metroje në Beograd, duke filluar nga viti i ardhshëm. Ky projekt është pjesë e iniciativës kineze “Një brez, një rrugë” që synon të zgjerojë lidhjet tregtare për kompanitë kineze.

Një javë më parë, Presidenti serb Aleksandar Vucic iu bashkua ambasadorit kinez Chen Bo në një ceremoni për 70-vjetorin e Kinës komuniste.

“Miqësia kinezo-serbe do të rrojë përjetë... E falenderoj Kinën për gjithë ç’ka bërë për Serbinë. Rroftë Serbia. Rroftë Kina”, foli në gjuhën kineze dhe serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.

Kina thotë se iniciativa e saj “Një brez, një rrugë” është një përpjekje për të nxitur lidhjet rajonale përgjatë trajektores së vjetër tregtare të Brezit të Mëndafshtë. Kritikët thonë se kjo është një mësymje nëpërmje tregtisë e dominancës kineze në çështjet globale. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë