VLORE- Prindër kujdes, mos u jepni automjetet fëmijëve nëse nuk janë të pajisur me leje drejtimi. Apeli i policisë së Vlorës merr shkas nga aksidenti i ndodhur më 18 maj kur 10 maturantë u plagosën në një aksident automobilistik. Fuoristrada AA 258 e drejtuar nga një maturant dhe brenda së cilës udhëtonin 9 maturantë të tjerë humbi kontrollin duke dalë nga rruga. Në aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Orikum- Vlorë u plagosën 10 maturantë të cilët sapo kishin dalë nga festimet e mbylljes së shkollës.

Apeli vjen pak ditë para se gjimnazistët të zhvillojnë mbrëmjet e maturave, mbrëmje tradicionale që zhvillohen menjëherë sapo përfundojnë provimet e maturës shtetërore.

Policia u bën apel dhe mësuesive të shkollave që të këshillojnë maturantët për më shumë kujdes dhe për të respektuar me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar automjetet vetëm nëse janë të pajisur me leje drejtimi dhe duke mos kryer veprime të rrezikshme si ekspozimi i trupit jashtë automjetit, përdorimi i pijeve alkolike, tejkalimi i normave të shpejtësisë etj.

“Për të gjithë kundërvajtësit do të merren masa administrative deri në bllokimin e automjetit deri dhe fillimin e procedimeve penale në rast shkelje të rregullave të qarkullimit. “- paralajmëron policia e Vlorës në njoftimin e sotëm për shtyp.

Gjithashtu policia u bën apel të gjithë administratorëve dhe pronarëve të njësive të shërbimit (hotele restorante) që të tregohen të kujdesshëm gjatë vizitave turistike nga nxënës të shkollave 9 vjecare dhe të mesme.
(sg/shqiptarja.com)