TIRANE- Përndjekja e komunitetit rom nga policia bashkiake në Tiranë nuk ndalet. Një video e xhiruar me celular nga gazetarja e A1 Report, Albana Qehajaj mbrëmjen e sotme në rrugën “Shyqyri Peza” në zonën e Alliasit, (e banuar kryesisht nga romët) tregon se si një makinë e policisë bashkiake ka ndaluar pranë një të moshuari, pjestar i komunitetit rom, që mban në një karrocë disa kuti dhe qese, të mbushura me mbetje plastike, kanace dhe mbetje qelqi. Mes tyre ka pasur një debat.

I moshuari rom: Po sa do jetoj unë? Më lini të mbaj veten dhe familjen me këto që kam mbledhur.
Punonjësi i policisë bashkiake: Jeto sa të duash, por këto janë të miat.

Pas debatit pamjet tregojnë qartë se dy punonjësit e policisë bashkiake, i kanë marrë atij të gjitha llojet e mbetjeve që ai kishte grumbulluar, duke i cuar dëm kështu mundin e një dite. Pavarësisht reagimit dhe kundërshtimit të të moshuarit rom, dy punonjësit e policisë bashkiake kanë zbatuar mesa duket urdhrin e eprorëve të tyre dhe kanë sekuestruar gjithë mbetjet e mbledhura prej tij. Kështu policia bashkiake 'u grabit' romëve kanacet e mbledhura, në kundërshtim me cdo ligj dhe pa lëshuar asnjë procesverbal, sic duhet të lëshojë cdo polici e shtetit nëse kap qytetarë në kundravajtje.


Më pas makina është larguar me shpejtësi pa bërë asnjë proces verbal dhe asnjë procedurë administrative që është e detyrueshme me ligj në një rast të tillë. E në mungesë të një proces verbali, gjithcka duket me shumë si një vjedhje sesa një sekuestro. Ky aksion dhe kjo përndjekje e komunitetit rom nga ana e policisë bashkiake kujtojmë se vijon prej muajsh, që kur në krye të policisë bashkiake ishte Florenc Hoxha, por edhe me zëvendësimin e tij nga Vullnet Topalli asgjë nuk ka ndyshuar.

Banorët e zonës së Alliasit i kanë bërë të ditur gazetares së A1 Report, Albana Qehajaj se një aksion i tillë është i përditshëm. Sapo pjestarët e komunitetit kthehen për në banesat e tyre, policia bashkiake “mbin” aty duke iu marrë gjithcka. Prej kohësh bashkia e Tiranës ka penalizuar komunitetin rom, duke iu hequr bukën e gojës, pasi nuk I lejon të mbledhin mbetjet në kryeqytet. Shqiptarja.com dhe A1 Report kanë zbuluar se pas biznesit të mbledhjes dhe riciklimit të mbetjeve qëndon një firmë e drejtuar nga kunati I kreut të bashkisë së Tiranës.

(jd/shqiptarja.com)