Më jo pak krenari, emisioni investigativ “Le Iene” në Mediaset ka publikuar mbrëmë pjesën e fundit të hetimit disa mujor që çoi në shkatërrimin e një grupi të strukturuar kriminal të mashtrimit me “Call Center”, me bazë një kullë super luksoze në Tiranës.

Transmetimin e fundit “Le Iene” e nis me mësymjen e SPAK në kullë dhe arrestimin e disa prej bashkëpunëtorëve në aktivitet kriminal.

Për të vjedhur kursimet e mijërave qytetarëve evropianë, sidomos atyre italianë, niste nga këto zyra mashtrimi i gjoja investimit online. Nga 20 deri në 30 milionë euro në muaj arrinte grabiste grupi kriminal.  Mashtrimi niste me një telefonatë të një gjoja konsulenti të ‘fininvest’ që premton fitime të lehta me një investim minimal prej 250 eurosh.

Përmes grafikëve të manipuluar qytetarit i thuhen shumë fiktive fitimesh, për t’i shtyrë viktimat të investojnë gjithnjë e më shumë para. Kur tentojnë t’i tërheqin paratë e fituara, keqbërësit në këtë moment zhduken.

Hetimi i nisur që nga shtator nga “Le Iene”, zbuloi se ishte një ish polic italian i cili rekrutonte në Itali të rinj për të punuar si agjentë të qendrës së thirrjeve mashtruese në Tiranë. Alfonso Vicinanza, i shoqëronte personalisht të rinjtë, që akomodoheshin në shtëpi të paguara në Shqipëri, dhe fillonin punë në “call center” në Tiranë.

Drejtoresha e “Call Centerit” në kullën “Atti Tower” e quajtur ndryshe “4Ever Green Tower”, quhet Alma, dhe e komunikuar përmes “Telegram” ia zbulon të gjithë forcën që organizata kriminale ka.

“Kjo është një kompani shumë e madhe në Tiranë, kemi një prodhim shumë të madh. Agjentët e rinj bëjnë 300-400 mijë euro. Deri në një 1 milion pa asnjë problem.”

Në këto zyra, të vendosur në dy kate në kullën luksoze, punon rreth 50 agjentë. “Le Iene” futën një të infiltruar, i cili erdhi posaçërisht nga Italia, pasi kishte komunikuar me “Call Centerin” me argumentin se donte punë. E para që e priti ishte pikërisht Alma që i prezanton menaxherin, Carlo, i cili sqaron si funksion mashtrimi.

“Gjeja e parë e rëndësishme: mendo një emër mbiemër arti, atë të vërtetin nuk duhet ta dinë. Atje mbrapa është tavolinë e spanjollëve, atje e gjermanëve dhe në fund francezët”, i thotë Carlo operatorit.

Mashtrimi bëhet përmes platformave të krijuara posaçërisht, edhe këto provizore pasi zëvendësoheshin sapo evropianët fillonin të dyshonin.

Menaxheri italian i tregon bashkëkombësit, agjent të infiltruar, të gjithë skemën mashtruese, “duhet të krijosh empati.”

Një agjent që i grabit viktimave 200-300 mijë euro në muaj, bën vetë nga 20 deri në 50 mijë euro, siç edhe ky punonjës tjetër, i ardhur posaçërisht nga Italia, ia zbulon agjentit të “Le Iene.”

Italiani thotë: Unë muajin e kaluar bëra 35 mijë euro.

Por kur drejtoresha Alma i thotë të infiltruarit që tashmë duhet të fillojë me telefonatat, ai kthehet në Itali dhe drejtuesit e emisionit shkojnë në SPAK. Prokurori Vladimir Mara nisi hetimet. Por plani komplikohej për shkak të një fakti të thjeshtë.

Kamerat brenda dhe jashtë kullës luksoze kontrollohen nga ambasada izraelite dhe nëse punonjësit e saj të sigurisë do të shikonin njerëz të armatosur mund të bllokonin aksesin e agjentëve të BKH dhe mund të “hidhte çdo gjë në erë”. Kjo do t’i jepte kohë mashtruesve që të zhduknin provat.

SPAK e dinte me saktësi se kë duhet të arrestonte dhe ku ishte pozicioni ku ishin ulur. Nga pamjet dëgjohet agjenti i BKH-së teksa thotë: Në këtë pozicionin këtu qëndron Alma. Ajo është drejtoresha e “Call Centerit.

Teksa agjentë civilë qëndronin prej orësh dhe ditësh në ruajtje të perimetrit, dita e operacionit erdhi.

Asnjë lëvizje,  kontroll SPAK. Goca asnjë lëvizje”, thonë agjentët e BKH-së sapo hyjnë në godinë. Por asaj që i frikësoheshin ndodhi. Një punonjës i ambasadës izraelite bën rezistencë.

Fillimisht arrestohet menaxheri italian, i cili nuk pranon të bashkëpunojë në fillim, por më pas me kartën e tij, agjentët e BKH arrijnë në “call centerin” mashtrues në kat të 13. Brenda në zyrë do të duhet të ishin me dhjetëra agjentë, siç duken në pamjet e filmuara disa ditë me herët nga agjenti i “Le Iene”, por kur hapen portat e katit të 13 brenda nuk ka asgjë.

Në pamje dëgjohet teksa agjenti i BKH-së i drejtohet menaxherit të Call Centerit duke i thënë: Janë hequr gjatë natës. Kush i ka lëvizur. Mbrëmë keni qenë në vëzhgim të gjithë. Menaxheri i përgjigjet: Se di, unë nuk di asgjë.

Dyshimet janë se ka qenë menaxheri që ka telefonuar me drejtuesit e organizatës, të cilët kanë marrë masat për të lëvizur gjithçka.

Të njëjtin skenar të boshatisjes së zyrave në katin e 13, grupi kriminal kishte bërë edhe te ato në katin 9. Përveç këtij frigoriferi plot të harruar, edhe në këto zyra kishin mbetur vetëm tavolina dhe karrige.

Një ditë më herët, punonjësit e “Call Center”, shumë të fuqishëm, kishin bllokuar edhe ashensorët e kullës luksoze, dhe kishin zbritur gjithçka. Pamjet që SPAK ktheu nga kamerat e sigurisë tregojnë se disa të rinj kishin marrë kompjutera dhe çdo material tjetër, i kishin zbritur në garazh dhe prej andej i transferojnë në furgonë.

Por grupi kriminal nuk ia hodhi paq siç edhe shpresonte. Në pak orë, falë teknologjisë më të lartë të survejimit në qytet, interceptojnë furgonët dhe i gjejnë në grataçelën tjetër të Tiranës “Downtown One”.

Policia ndërhyn dhe kap në flagrancë 5 djem që ishin gati të fshinin mijëra të dhëna nga kompjuterat. Por nuk ia dolën dhe autoritetet kanë shpresë se do të gjejnë të dhënat për milionat e eurove t’i vjedhura nga qytetarët evropianë për të rikuperuar sadopak.

Në të njëjtën kullë, u gjet një hapësirë gjigande me qindra kompjuterë, gati për t’u bërë një tjetër “Call Center” mashtrues por që fatmirësisht mori fund pa nisur ende.

Lajmi në përditësim...