Një gjykatëse në Elbasan ka lënë në masë arresti shtëpiak një të arrestuar nga policia si shpërndarës përsëritës i lëndëve narkotike. Por edhe pse vendi ndodhet në shtet-rrethim si masë mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19, Artan Driza nga Gramshi e ka thyer masën duke dalë nga shtëpia. E çuditshmja është që e njëjta gjyqtare e ka nxjerrë sërish në masë arresti shtëpiak, duke mos e lënë në qeli shpërndarësin e rregullt të kokainës, të arrestuar dy javë më parë nga policia e Elbasanit.  

Gjatë kontrollit fizik Artan Drizës  iu sekuestruan 81 doza heroinë, të gatshme për t'u shpërndarë tek konsumatorët. Materiali hetimor për këtë shpërndarës përsëritës u dërgua nga policia për vlerësim në prokurorinë e Elbasanit, e cila ngriti akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Dosja i kaloi gjykatës së Elbasanit për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” e kërkuar nga prokuroria. Por gjyqtarja e çështjes Pajtime Fetahu, pasi ka vlerësuar të gjitha provat e akuzës, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e prokurorisë, duke caktuar për Artan Drizën, masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Pas këtij vendimi, Driza, i cili tre javë më parë u kap me 81 doza heroine, u lirua nga burgu në datën 7 prill 2020, duke u lënë në masën e “arrestit në shtëpi”.  Por Artan Driza ka dalë nga shtëpia dhe ka filluar të lëvizë rrugëve të Elbasanit. Pak ditë më parë ka qenë një patrullë policie që e ka ndaluar dhe i ka kërkuar autorizimin për lëvizje. Driza jo vetëm që nuk kishte autorizim por kishte thyer dhe vendimin e gjykatës, duke dalë jashtë nga banesa dhe nuk ka qëndruar në “arrest shtëpie”, siç kishte urdhëruar gjykata.

Artan Driza, është arrestuar dhe ndaj tij është ngritur akuza e “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Prokuroria e Elbasanit, i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Drizën. Sërish e njëjta gjykatëse në Elbasan, Pajtime Fetahu, ka rrëzuar kërkesën e akuzës, duke vendosur sërish lirimin e Artan Drizës nga burgu dhe caktimin për të dytën herë dhe për të njëjtin person, masën e sigurisë “arrest në shtëpie”.