Policia e Kosovës: Në brezin kufitar me Maqedoninë asnjë grumbullim apo individ

Policia e Kosovës njoftoi sot nuk ka pasur asnjë grumbullim apo individ në të gjithë zonën e brezit kufitar me Maqedoninë, e kështu as në lvendndodhjen Krivenik - Radushë, siç ka pretenduar Ministria e Brendshme e Maqedonisë, e cila njoftoi Policinë e Kosovës se ditën e djeshme ka vënë re persona të grumbulluar në brezin kufitar.
Sipas njoftimit për shtyp, njësitet e Policisë Kufitare të Kosovës, por edhe ato të Maqedonisë, sipas planit të përbashkët të patrullimit, kanë verifikuar së bashku në patrullim sipas konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.
"Referuar deklaratës së djeshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë, se një grup prej pesëdhjetë (50) personave kanë hyrë në Maqedoni, respektivisht në fshatin Saraj të Shkupit, Policia e Kosovës informon se dje (23.4.2015) rreth orës 16:53, Policia e Maqedonisë ka njoftuar Policinë e Kosovës se vërehen persona të grumbulluar në brezin kufitar, respektivisht në lokacionin Krivenik (RKS)-Radush (MK) dhe me verifikimin e menjëhershëm të informacionit është konstatuar se nuk ka asnjë grumbullim apo individ në lokacionin e lartcekur dhe as në tërë zonën e brezit kufitar me Maqedoninë", theksohet Policia e Kosoves.
Sipas saj, njësitet e Policisë Kufitare në detyra të rregullta gjatë brezit kufitar nuk kanë hasur në asnjë grumbullim të pretenduar nga pala maqedonase dhe po ashtu një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga njësitet e Policisë Kufitare të Maqedonisë, të cilat sipas planit të përbashkët të patrullimit, dje kanë qenë së bashku me njësitet e Policisë Kufitare të Policisë së Kosovës në patrullim sipas konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.
Po ashtu, vijon njoftimi, krahas këtyre aktiviteteve të përbashkëta me palën maqedonase, në mbikëqyrjen e brezit kufitar Policia e Kosovës shfrytëzon edhe kullat vrojtuese, të cilat mundësojnë monitorimin dhe vëzhgimin e hapësirës së madhe të brezit kufitar nga të dy anët, duke shfrytëzuar edhe teknologjinë e avancuar e që deri më tani nuk është detektuar asnjë lëvizje e dyshimtë.  Policia sqaron se me qëllim të informimit të opinionit të gjerë, bëjmë me dije se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të përmbushur detyrat e saja ligjore dhe kushtetuese në raport me mbrojtjen e sigurt të kufirit të Republikës së Kosovës dhe moscenimit të tij nga askush".
"Policia e Kosovës është e gatshme për bashkëpunim me agjencitë e shteteve fqinje, duke përfshirë edhe Maqedoninë, për t'u siguruar se kemi një mbikëqyrje të mirëfilltë dhe të sigurt sipas konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit", thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të PK-së./atsh/

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë