Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale në dy objekte të pabanuara në komunën e Zubin Potokut, në Mitrovicën e Veriut.

Në fshatin Parucë, në një stallë bagëtish, u gjetën 141 fishekë për armë të gjata, 21 fishekë për armë të gjata me krehër, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, katër granata dore dhe një tytë e pushkës së gjuetisë. Gjithashtu u sekuestruan 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë, një pajisje për mbushjen e fishekëve, katër kuti me barot, sfera për mbushjen e fishekëve të gjuetisë, kapsolla, tamponë për fishekë, një maskë gazi ushtarake dhe një bajonetë.

Në një tjetër kontroll, në fshatin Ranqiq, Policia e Kosovës gjeti një pistoletë, katër granata dore dhe 2 mijë e 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në të dy lokacionet ndërhynë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve shpërthyese (IEOD), të cilat i larguan mjetet shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.

Policia e Kosovës bëri të ditur se deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar.