TIRANË, 14 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dalë sot në një njoftim për mediat për të dhëne shpjegime mbi ecurinë e hetimeve dhe zbardhjen e vjedhjes së "Union Bank".
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bën me dije se "Në vijim të hetimeve për zbardhjen e vjedhjes  me armë të "Union Bank" më datën 13.02.2015, nga ana e Specialistëve të Seksionit  Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, u bë arrestimi i shtetasve për veprën penale "Shpërdorim detyre": Isuf Gjici  55 vjeç , Artan Dervishi 43 vjeç, Dritan  Duka 24  vjeç, Saimir Nikoci  32 vjeç  , Ilir Syla 45 vjeç, Tomorr Hidri 42 vjeç, banues në Tiranë, punonjës të eskortës së SH.R.S.F, "Euro Gjici", shoqëruese të vlerave monetare".
Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shpjegon se "Arrestimi i tyre u bë për  shpërdorim detyre pasi, tre persona të maskuar e nën kërcënimin e armëve, duke qëlluar në ajër, i kanë çarmatosur dhe kanë vjedhur "Union Bank", duke marrë shumën e parave në 4 thasë dhe janë larguar me mjetin tip "Land Rover", me targë AA 105 IV, pronë e kompanisë së Sh.R.S.F, "Euro Gjici". Personat e maskuar dhe të armatosur  kanë braktisur automjetin në rrugën "Sulejman Vathi" dhe janë larguar me një automjet tjetër".
Gjithashtu, në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se "Me cilësinë e provës materiale në vendngjarje u gjetën dhe bllokuan 3 copë gëzhoja model-56, kalibër 7.62, si dhe mjetin tip"Land Rover", me targë AA 105 IV. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan për veprime  të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. /i.vata//a.ke/