Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra 5 punonjës policie. Përmes një njoftimi, blutë bëjnë të ditur se dy prej këtyre efektivëve, të cilët punonin në Fier, janë pezulluar nga detyra pas qarkullimit të një videos ku njëri prej tyre dukej se po merrte ryshfet nga një drejtues automjeti, për të shmangur gjobën.

Po ashtu ndaj 2 efektivëve të sipërpërmendur ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë për këtë rast.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka pezulluar edhe 3 efektivë të tjerë, punonjës në Komisariatet e Lezhës, Matit e Krujës, mes tyre edhe Besart Kovaçi.

Ky i fundit qëlloi 10 herë me armë zjarri gjatë atentatit në berberhane të dielën në Lezhë, i cili deri më tani besohet se është pasojë e një konflikti të mbartur mes 3 të rinjve të fisit të ish-deputetit Arben Ndoka, dhe nipit të biznesmenit të vrarë në Shëngjin, Ardjan Nikulaj.

Njoftimi i plotë

Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku duken dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, njëri prej të cilëve dyshohet se ka marrë ryshfet nga drejtuesi i automjetit për të shmangur masën administrative, ju informojmë se:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektor Sh. Ç. dhe inspektor I. L., me detyrë trupë shërbimi trafiku urban/interurban në Seksionin e Trafikut Urban/Interurban, në Sektorin e Policisë Rrugore, në DVP Fier, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m”, e Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë imazhin e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Pezullimi disiplinor u bë pasi, duke qenë në shërbim, kanë kryer veprime në shkelje të procedurave standarde të punës gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti, si dhe dyshohet për kryerje të veprimeve korruptive. Ndaj këtyre punonjësve ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale janë pezulluar nga detyra edhe tre punonjës policie, konkretisht:

– Inspektor B. K., i cili më datë 02.02.2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrilë të Lezhës më datë 01.02.2026.

– Inspektor E. P., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mat, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike.

– Inspektor E. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, pasi më datë 02.02.2026 është arrestuar nga AMP, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Për këto raste është bashkëpunuar me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila  ka kryer dhe po kryen veprime hetimore e procedurale në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.