TIRANE - Policia e Vlorës ka deklaruar sot, dy ditë pas vrasjes së tri pushuesve në Vlorë, se në vijimësi të hetimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28.07.2013 në plazhin e quajtur “Kalaja” ku mbetën të vrarë 3 persona, Grupi Hetimor i ngritur posacërisht për këtë ngjarje ka bërë arrestimin në flagrancë  edhe të shtetasve:
 
Saimir Hiqmet Qamo, vjec 25, dhe Servet Hajredin Qamo, vjec 54, të dy banues në Vlorë, bashkëpronarë të plazhit të quajtur “Kalaja”,  ku ndodhi ngjarja. 

Arrestimi i tyre u krye pasi megjithëse  kishin detyrimin ligjor për të kallzuar kimin e ndodhur në plazhin që kishin në pronësi nuk kanë e kryer një gjë të tillë, duke mos dhënë shpjegime. Arrestimi i tyre u krye për  veprën penale “Moskallzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

29 KORRIK - POLICIA E VLORES DEKLARON ARRESTIMIN E AUTORITTE VRASJEVE

Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë ka dalë sot në një konferencë për shtyp me një deklaratë zyrtare, ku ka njoftuar arrestimin e autorit të vrasjeve të ndodhura dje në plazhin e Kalasë në Vlorë. Më poshtë, deklarata e plotë e policisë:
 
"Vlorë, më datë 28.07.2013 rreth orës 16:00 në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë është marrë njoftim se në plazhin e quajtur “Kalaja” është qëlluar me armë zjarri.
 
Menjëherë në vend kanë shkuar të gjitha shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë të cilat kanë kryer veprimet procedurale nga të cilët është konstatuar se një person i armatosur ka shtënë disa herë me armë zjarri e për pasojë kanë mbetur të vrarë shtetasit:
 
Sokol Asqeri Isufaj, vjec 34, banues në Fier; Diana Ramazan Ademi, vjec 52, banuese në Tiranë, dhe S. B, vjec 17, banues në Prrenjas Librazhd. 

Në lidhje me këtë ngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë është ngritur një grup i posacëm hetimor me Specialsitët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Vlorë dhe Departamentit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe janë kryer veprime operacionale në terren me mbështetjen e Forcave Speciale FNSH Fier, dhe Repartit RENEA Tiranë.  
 
Falë një pune hetimore intensive, të mirëorganizuar dhe të pandërprerë është bërë e mundur që ditën e sotme mbas disa orësh nga ndodhja e ngjarjes të mund të identifikohet dhe arrestohet shtetasi:
 
1. Leo Luan Osmeni, vjec 18, banues në Vlorë, person me precedent penal, si dhe po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.
 
Sqarojmë se, nga veprimet paraprake hetimore ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të castit, për motive të dobëta midis autorit të dyshuar shtetasit Leo Osmani dhe disa shtetasve nga qyteti i Fierit.
 
Gjithashtu sqarojmë se nga tërësia e veprimeve të  hetimore të kryera si kqyrja e vendit të ngjarjes,  kqyrja e viktimave nga një grup ekspertësh mjekoligjorë, dhe gjithë veprimtarisë hetimore paraprake ka rezultuar se 2 prej viktimave shtetasit S. B., vjec 17 dhe Sokol Isufaj vjec 34, janë goditur nga plumba rikoshetë,  si dhe asnjë prej 3 viktimave nuk ishin në konflikt me autorin dhe as kishin njohje me personat e tjerë të përfshirë  në konflikt dhe se nuk kanë qënë objekt i sulmit kriminal.
 
Gjithashtu bëjmë me dije se grupi hetimor ka siguruar provat të pakundërshtueshme shkencore në lidhje me autorësinë e këtij krimi, prova të cilat janë sekuestruar nga policia dhe janë të patjetërsueshme.
 
Në lidhje me ngjarjen e mësipërme Prokuroria e Përgjithshme, dhe Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit me strukturat vartëse respektive në Qarkun e Vlorës kanë ngritur një grup të posacëm hetimor dhe po kryen hetime intensive dhe siguron gjithë opinionin publik se do të vërë përpara përgjegjësisë cdo person të përfshirë në këtë krim, duke siguruar përballjen e tij me ligjin.
 
Duam të garantojmë gjithashtu se Prokuroria dhe Policia janë të vendosura që të luftojnë cdo lloj krimi apo veprimtarie kriminale në Qarkun e Vlorës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja  pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 79/dh dhe 278/2 të Kodit Penal," - përfundon deklarata.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)