GREQI - Policia Kufitare greke kryesisht ajo e Janinës, bën bilancin e trafikut të marijuanës së kapur në muajt e fundit. Gati 4.5 ton marijuanë janë kapur prej janarit e deri në ditët e sotme në kufi me shtetin shqiptar apo dhe në brendësi të territorit helen. Në mjaft raste, trafiku ka pasur si bashkëpunëtorë, përveçse trafikantët shqiptarë, edhe ata grekë, të cilët kanë kooperim mjaft efektiv.

Në një prononcim për tv "A1 Report!", kreu i Federatës së Policëve të Epirit, Jorgos Papacimbas, shprehet se shqetësimi është real për Policinë e Epirit e cila po konstaton të njëjtat ritme si vitin e kaluar, të trafikut të marijuanës aq më tepër kur ky trafik, nuk ka shenja që të minimizohet.

Papacimpas u shpreh: "Po konstatojmë me shqetësim, zhvillimin e mëtejshëm të trafikut të marijuanës dhe të drogërave të tjera në të dy anët e kufirit. Mund të them se ashtu si vitin e kaluar, kur Policia Greke sekuestroi 8 ton marijuanë me origjinë nga Shqipëria, edhe për këtë vit, intensiteti nuk ka rënie, është po ai i njëjti. Janë mijëra ton marijuanë që janë kapur nga ne në muajt e fundit. Trafiku i zhvilluar mbështetet kryesisht nga shtetas shqiptarë, por nuk ngelen pas edhe ata grekë të cilët janë baza mbështetëse për në territorin tonë.

Ndonëse bashkëpunimi mes policisë sonë dhe asaj shqiptare nuk ka munguar, madje do të thoja se është në një nivel shumë të lartë, kjo nuk i ka penguar trafikantët, të vijojnë normalisht, “biznesin” e tyre që në disa raste qëndrojnë të mbrojtur.

Një shqetësim tjetër për ne, është edhe forca goditëse e grupeve të trafikantëve të cilët, janë të armatosur. Megjithatë, fatmirësisht në përballjet me armë zjarri mes nesh dhe atyre kryesisht në thellësi të territorit tonë, nuk ka pasur të lënduar nga të dy palët, përveçse dëmtime materiale. Mund të them, që trafikantët shqiptarë të drogës janë tepër të rrezikshëm.

Policia Shqiptare vetëm vitin e kaluar, ka kapur mbi 12 ton marijuanë, destinuar për t’u trafikuar në shtetin grek, ndërkohë që në total, duke përllogaritur edhe sasinë prej 8 tonësh të kapur nga policia greke, shkon në 20 ton. Sipas të dhënave nga Policia e Epirit, sasia e kapur, nuk është as 1/5 e asaj që hyn realisht në Greqi nga Shqipëria."

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)