Policia, kontroll i pazakontë i
pasagjerëve në Rinas

Policia, kontroll i pazakontë i<br />pasagjerëve në Rinas
TIRANE - Ardhja e sezonit turistik sjell automatikisht rritjen e fluksit të emigrantëve apo edhe turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Por, këtë herë, kontrolli i pasagjerëve që hyjnë e dalin nga aeroporti i Rinasit ka qenë shumë i hollësishëm.

Pasagjerët tregojnë se u është bërë kontrolli i dokumentave si asnjë herë tjetër. Kjo pasi i kanë kërkuar pasaportat por edhe kartat e identitetit dhe patentat. Madje një kontroll i hollësishëm i është bërë edhe fëmijëve. “Kontrolli këtë herë ka qenë i pazakontë sepse na kanë kërkuar dokumenta që nuk na i kanë kërkuar më parë” shprehen pasagjerët në aeroportin e Rinasit. Por, ky kontroll i hollësishëm bëhet pikërisht pas katër ditësh kur Ambasada Amerikane ka kërkuar ndihmën e Policisë shqiptare për të përforcuar sigurinë rreth objektit diplomatik.

Sipas policisë prej katër ditësh ka ndërmarrë një plan të detajuar masash, me shërbime të përforcuara 24 orë pa ndërprerje pranë Ambasadës dhe rezidencave amerikane. Forcat speciale RENEA, në ndonjë rast edhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, së bashku me policinë e Komisariatit Nr. 1 janë duke mbajtur në vëzhgim çdo element apo lëvizje të dyshimtë në vendin tonë. Këto për shkak të kërcënimeve për sulme terroriste, të zbuluara nga shërbimet sekrete amerikane. Masat janë marrë në koordinim me stafin e sigurisë në Ambasadën Amerikane dhe pritet të qëndrojnë aty deri në një urdhër të dytë, që me shumë mundësi mund të jenë deri në fund të muajit gusht. Siguria e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë është rritur edhe nga agjentë të kamufluar, që nuk bien në sy të qytetarëve.

Vetë Ambasada ka lajmëruar për të pasur kujdes në lëvizjet e tyre të gjithë shtetasit amerikanë që ndodhen në Shqipëri. Paralajmërimi për të gjithë amerikanët që do të udhëtojnë jashtë vendit është në fuqi deri më 31 gusht. Por, sipas policisë së Rinasit ky kontroll ka vetëm një orientim për njerëzit që vijnë nga vendet e lindjes, në mënyrë që të ketë një kontroll dhe verifikim më të saktë dhe më rigoroz. Gjithashtu ata deklarojnë se dje është arrestuar një person në aeroportin e Rinas i kërkuar nga autoritetet italiane për trafik ndërkombëtar droge. Blutë e komisariatit të Rinasit thonë se i arrestuar është Luan Smalaj 39-vjeë për trafik nderkombëtar droge. Smalaj kërkohej nga Italia. 39-vjeëari kishte emigruar në Irlandë me emrin kosovar Bledi Sadikaj. Ai ishte nga qyteti i Shkodrës dhe vinte për herë të parë në Shqipëri. Burime nga policia thonë se edhe kjo është një arsye e fortë që të shtohen masat dhe kontrolli të jetë më i hollësishëm në aeroportin e Rinasit.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.07.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Dyshohet se ngacmoi seksualisht një të mitur, arrestohet 71-vjeçari në Maliq

Dyshohet se ngacmoi seksualisht një të mitur, arrestohet 71-vjeçari në Maliq