Policia e Durrësit ka zhvilluar një sërë kontrollesh gjatë fundjavës për të menaxhuar trafikun dhe për rritur parametrat e sigurisë.
Sipas njoftimit të Policisë thuhet se janë vendosur 670 masa administrative, ndërsa 51 leje drejtimi janë pezulluar.
Njoftimi i plotë:
Vijon zbatimi i planit të masave jo vetëm gjatë fundjavës por çdo ditë nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor Durrës, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Janë kryer kontrolle për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, pa leje drejtimi dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Vetëm në fundjavë si rezultat i kontrolleve në të gjithë akset rrugore të qytetit të Durrësit janë arrestuar në flagrancë 17 shtetas, 5 prej të cilëve për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe 12 shtetas duke drejtuat motorçikletat pa leje drejtimi.
Janë vendosur 670 masa administrative për shkelje të ndryshme dhe pezulluar 51 leje drejtimi.
• janë ndëshkuar 105 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• janë ndëshkuar 162 drejtues mjetesh për parakalim të gabuar;
• janë ndëshkuar 56 drejtues mjetesh për mospërdorim të rripit të sigurimit.
Gjatë fundjavës nga ana e Specialistëve të Qarkullimit Rrugor është mundësuar menaxhimi i trafikut rrugor për shkak të rritjes së fluksit të pushuesve.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës këshillon çdo përdorues rruge që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke eleminuar cdo shkak që shërben si burim aksidenti.
Kontrolle të tilla nga ana e Punonjësve të Qarkullimit Rrugor do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe fundjavë.