Gazeta “Shqiptarja.com” shkruan në kryeartikullin e sotëm, se tragjedia e demonstratës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër persona, është raportuar një ngjarje e vetme, madje policia, pa përfunduar hetimet prokuroria, e konsideron sikur kjo ngjarje ka vetëm një autor.
Në fakt, në gjykim deri tani dhe brenda burgut gjendet vetëm gardisti Agim Llupo, nga arma e të cilit, është vërtetuar qartazi se është vrarë shtetasi Ziver Veizi.
Hetimet e prokurorisë nuk po vazhdojnë me ritmet e parashikuara. Kjo edhe për faktin, se sipas burimeve nga organi i akuzës, në kryeministri, janë fshirë pamjet filmike të kamerës së sigurisë në godinën e kryeministrisë. E për këtë fakt, prokuroria ka thirrur për të dëshmuar pranë saj, edhe Gjergj Lezhjan, që në atë kohë ishte në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, ashtu sikurse edhe drejtorët e IT të kryeministrisë. Kjo sepse, në gjurmë të kamerave, janë gjetur pamje filmike para dhe pas 21 janarit, çka për prokurorët ka ngritur dyshimet se filmimet janë fshirë me dashje.
Në listën e krimeve të përfshira, policia ka konsideruar si me një autor, edhe atë të ndodhur në Allias, në 1 korrik 2011, ku në një familje rome, dhëndërri vrau çiftin Anise dhe Fatmir Elmazi. Por nëse në këtë ngjarje, për dy viktima, realisht ka një autor, për ngjarjen e 21 janarit, për katër demostruesit e vrarë, prokuroria nuk ka thënë deri më tani se është vetëm një autor. Në mos, duket se policia ia ka veshur gjithë këtë përgjegjësi, Gardës së Republikës së Shqipërisë.
NDRYSHIMI
Ndërkohë që gjatë analizës së punës së bërë për dhjetë mujorin, policia nuk i kishte përfshirë fare në listën e saj të viktimave të ngjarjes, katër demonstruesit e vrarë në Bulevardin përpara kryeministrisë. Pra, nëse në muajin janar, siç deklarohet në shifra, janë vrarë pesë persona, në shifrat e policisë rezulton i vrarë vetëm një person, ngjarja e cila ka ndodhur më 7 janar, kur është goditur me thikë një i moshuar, pasi ishte zënë me fqinjin e tij. Ndërkaq, shifrat për katër personat e vrarë në demonstratën e "21 janarit" i kërkuam edhe tek veprat e tjera penale të evidentuara këtë vit, por rezulton që ato janë lënë në harresë. Prokuroria thotë se më 21 janar, në intervalin kohor midis orës 13.30 deri në orën 17.00, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u zhvillua një demonstratë pranë Kryeministrisë. Në ngjarje janë përdorur armët e zjarrit. Nga kryerja e veprimeve është provuar se kanë gjetur vdekjen Ziver Veizi, Hekuran Deda, si dhe Faik Myrtaj. Kurse Aleks Nika ka vdekur pas disa ditësh. Nga filmimet rezulton se viktimat, në momentin që janë qëlluar, kanë qenë jashtë objektit.
ANALIZA
Në analizën 11 mujore të policisë së Tiranës janë referuar 6236 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 5227 prej tyre, ose 83.8% e tyre. Strukturat e policisë bëjnë më dije se në krahasim me vitin 2010, kemi një rritje të evidentimit me 1274 vepra penale, dhe njëkohësisht rritje të fuqisë zbuluese me 2.8%. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej te cileve 1270 arrestuar dhe 4416 ndjekur në gjendje të lire e janë kapur 345 persona të shpallur në kerkim. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010, janë evidentuar 45 vepra penale më tepër, si dhe 73 autorë më shumë. Në fushën Kundër Krimeve Financiare janë evidentuar gjithësej 708 vepra penale, zbuluar 701 ose 99% e tyre, me 117 autorë arrestuar ose ndaluar, 805 autorë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 6 autorë në kërkim. Në fushën Kundër Krimeve të Rënda, janë evidentuar gjithësej 290 vepra penale, zbuluar 212 ose 73.1% e tyre, ku janë proceduar gjithsej 279 autorë, nga të cilët, 176 arrestuar e ndaluar, 56 proceduar në gjëndje të lirë dhe 47 shpallur në kërkim.
BURGAJ
Pasi dëgjoi me vëmendje statistikat e analizës së Policisë së Tiranës, Drejtori i Përgjithshëm i shtetit Hysni Burgaj ka falenderuar këto struktura por më pas ka "kritikuar" ashpër duke pretenduar se vitin tjetër kërkon një punë me serioze nga blutë e kryeqytetit. Burgaj nuk la pa përmendu dhe angazhimin maksimal që duhet të ketë patrulla e përgjithëshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.