Një automjet luksoz Ferrari është sekuestruar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës në Turqi.

Mjeti me vlerë 600 mijë euro u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri” në Tiranë dhe u sekuestrua. Në drejtim ishte 33-vjeçari Eri Vraja, nga fshati Dritas i Fushë-Krujës. 

Sipas policisë, Vraja ka qenë i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike.

Policia sqaron se 33-vjeçari Vraja ia kishte lënë në pronësi makinën 36-vjeçarit S.Ll. për të humbur gjurmët. Ndërkohë që Ferrari ishte sjellë në Shqipëri nga 30-vjeçari A.L. Të dy këta persona, të njohur të Eri Vrajës, janë gjithashtu nën hetim në gjendje të lirë, së bashku me 33-vjeçarin, posedues faktik i automjetit.

33-vjeçari nga Fushë-Kruja rezulton të jetë arrestuar në vitin 2016 në Turqi me 20 kg kanabis sativa në makinën e tij “Passat”, bashkë me 3 shqiptarë të tjerë. Në atë kohë, mediat shkruanin se ishte arrestuar me 3 persona të tjerë. 

Hetimi pasuror ndaj Eri Vrajës ka nisur pas një aksioni të Seksionit të Pastrimit të Parave në Policinë e Tiranës.

Vraja ra fillimisht në sy të forcave “Shqiponja” pasi udhëtonte me Ferrarin luksoz me vlerë 600 mijë euro, duke ngritur dyshime mbi burimin e të ardhurave të tij. Pas kontrolleve të para, u zbulua se Vraja rezultonte i papunë, ndërsa ka një të shkuar kriminale jashtë vendit.

Aktualisht, Policia po pret informacion zyrtar nga Interpol, i cili do të shërbejë si bazë për nisjen e verifikimeve të thelluara sipas ligjit Antimafia.

Në rast se Vraja nuk justifikon pasurinë, pritet të procedohet me sekuestrimin e pronave dhe pasurive që mbahen në emrin e tij ose të familjarëve të afërt.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ky është vetëm hapi i parë i një hetimi më të gjerë, që mund të përfshijë edhe individë të tjerë të lidhur me aktivitetin e tij të dyshuar kriminal.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Sekuestrohet 1 automjet tip “Ferrari”, me vlerë rreth 600 000 euro, i dyshuar i përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Në hetim drejtuesi i automjetit, autor i kësaj veprimtarie kriminale, në Turqi.

Ky shtetas e kishte regjistruar në pronësi të një 36-vjeçari, këtë automjet, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri, për llogari të tij, një 30-vjeçar.

Vihen në hetim dhe të dy të implikuarit në këtë rast.

Në vijim të hetimeve, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Red”.

Në kuaër të operacionit, u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri”, automjeti tip “Ferrari”, me drejtues shtetasin E. V., 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet dyshohet se automjeti është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga hetimet e mëtejshme u identifikua shtetasi të cilit 30-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht S. Ll., 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 30-vjeçarit, konkretisht A. L., 30 vjeç.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 3 këta shtetas.

Gjithashtu, vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit E. V. ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.