TIRANE- Skënder Tufa, një nga të përndjekurit që drejton edhe një prej shoqatave të tyre, është ndaluar nga policia e Tiranës, sikurse raporton agjencia Ama-News. Policia thotë se e ka ndaluar për mitingun pa leje të së enjtes, që shkaktoi edhe panik te deputetët. Por ai të enjten ka qenë i ftuar në Top Story dhe ka deklaruar se "Berisha është diktatori i ri, duhet të largohet, ndryshe e pret fati i Gadafit". Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për kryetarin e shoqatës së të dënuarve politike Skëndër Tufa. Procedimi ka nisur pas organizimit të protestës së zhvilluar ditën e djeshme rreth orës 10:00 në bulevardin 'Xhorxh Bush'. Sipas policisë edhe pse nuk është dhënë leje, ish të dënuarit politik kanë organizuar protestën. Ata akuzojnë qeverinë për premtime të pambajtura lidhur me dëmshpërblimet për vitet e burgut. Ky nuk është i pari rast i shoqërimit në polici të ish të përndjekurve. Gjergj Ndreca, i cili brenda pak javësh u shoqërua 4 herë në polici, pas incidenteve me deputetin e PD-së Ilir Rusmali dhe Ministrin e Financave Ridvan Bode. (Ne foto: Skender Tufa)
(sg/shqiptarja.com)