DURRËS - Një 47-vjeçar në Durrës është ndaluar nga policia pasi po lëvizte me armë zjarri me vete dhe nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi. Në automjetin e 47-vjecarit Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Pas kontrollit të ushtruar janë gjetur një pistoletë tip "TT" dhe një krehër me 7 fishekë.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar automjetin e dyshuar në lëvizje të sheshi “Pranvera”, në Durrës dhe i kanë bërë shenjë për ndalim.
Policia njofton se drejtuesi i automjetit ka kundërshtuar urdhrin e dhënë dhe është larguar me shpejtësi, por pas 5 km ndjekje nga ana e Policisë është bërë e mundur që në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, të bllokohej mjeti tip Audi që drejtohej nga shtetasi A. B., 47 vjeç, banues në Golem, Kavajë. Pas kontrollit të ushtruar u konstatua se në sediljen e pasme ndodhej një çantë krahu brenda së cilës ndodhej një pistoletë tip "TT" dhe një krehër me 7 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia thotë se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë" dhe "Armëmbajtja pa leje", për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.