Policia nxjerr listën e të shumëkërkuarve të Kukësit, mes tyre ‘Shota e Haklajve’, dy vrasjet që bëri në Tropojë

Policia e Shtetit ka publikuar listën e personave më të kërkuar të qarkut të Kukësit. Në këtë listë është edhe Zylfije dhe Hamdi Haklaj, që kanë fituar azil në Suedi. Zylfije Haklaj është e dënuar me 25 vite burg, pasi mori hak për vëllezërit duke vrarë dy persona. Ajo akuzohet për vrasjet e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit në vitin 2002 në Tropojë. 

Ndërkohë që në kërkim është edhe vëllai i madh i Haklajve, Hamdi Haklaj. Gjykata ka vendosur masën e dënimit prej 25 vitesh burg. Ish-polici Hamdi Haklaj akuzohet për vrasjen e vëllezërve, Besim dhe Guxim Demaj dhe Halil Hoxhës më 1998. Haklaj fillimisht u arrestua në Suedi ku i kishte shpëtuar arrestimit për shumë vite, por pavarësisht kësaj, drejtësia nuk mundi ta ekstradonte në drejtim të Shqipërisë, pasi në fillim të vitit 2008, ai fitoi azil politik ashtu si Zylfije Haklaj.

Dosja Tropoja/ Dy vrasjet që bëri Zylfije Haklaj
Familja Haklaj dhe Lumneshi fillimisht kanë pasur marrëdhënie të mira, por kur Haklajt mësuan nga informatorët se Rasim Lumneshi ishte rreshtuar me kundërshtarët, madje dyshonin se ai ishte truri i disa prej ngjarjeve më të rënda ndaj tyre gjërat ndryshuan. Sipas versionit që prokuroria ka paraqitur në gjykatë, rezulton se Zylfie Haklaj zbriti në Bajram Curri nga fshati i saj me një furgon pasagjerësh të rastit.

E gjatë mbi një metër e 90 centimetra, ajo e kishte të lehtë të fshihte poshtë palltos së saj një kallashnikov që e kishte hedhur në sup. Mësuesja e fizikës zbriti nga furgoni në qendër të qytetit, para monumentit të Bajram Currit dhe ngjiti shkallët në krah të tij që të nxjerrin në trotuarin mbi shëtitoren kryesore. Lokali ku qëndronin të ulur dhjetë burra të gjithë me armë në brez, qoftë me leje apo pa leje, ishte afro 100 metra larg. Ajo eci ngadalë për të mos tërhequr vëmendjen e klientëve të shpërqendruar të lokal “Ervin” që ndodhej vetëm 50 metra në vijë ajrore nga hyrja e komisariatit të Bajram Currit. Sipas dëshmitarëve okularë, Lumneshit nuk i shpëtoi pa i rënë në sy silueta e një femre të gjatë që po ecte me hap të ngadaltë drejt tyre, por miqtë e siguruan të mos shqetësohej për asgjë.

Rreth orës 10:15 minuta Zylfije Haklaj ndodhej vetëm 10 metra larg tavolinës së Lumneshit. Ajo vetëm zbërtheu pallton dhe nga poshtë saj nxori kallashnikovin, të cilin nuk e hoqi nga supi, por hapi zjarr direkt duke qëlluar një nga një. Të shtënat e para që tronditën shëtitoren kryesore të Bajram Currit në një nga orët më të populluara, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit. Ndërsa Hysni Biberi dhe kryetari i gjykatës së Tropojës, Kujtim Dusha mbetën të plagosur. Nuk dihet a do të kishte patur viktima të tjera nëse mësueses së fizikës nuk do t’i  bllokohej kallashnikovi.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen