PRISHTINË, 27 Janar /ATSH-B.Jashari/.-Protesta sot në Prishtinë e paralajmëruar siç parashihet me Ligjin mbi tubimet publike, e realizuar nga organizatorët, ka filluar rreth orës 12:00 dhe ka përfunduar rreth orës 18:30. Në bazë të vlerësimeve policore, pjesëmarrës kanë qenë rreth 2.000 protestues, bëri të ditur sonte pak më parë Policia e Kosovës.
"Si vazhdimësi e deklarimeve lidhur me mbarëvajtjen e protestës, e kemi bërë të ditur se rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse dhe dhënies së ultimatumit drejt policisë nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët duke hedhur sende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilët detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t'i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme", deklaroi Policia.
Përkundër përpjekjeve dhe thirrjeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës, për ndalje të sulmeve dhe dhunës së shfaqur nga ata protestues, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe të njëjtit kanë vazhduar me përshkallëzimin e dhunës dhe sulmeve ndaj policëve, duke përdorur edhe mjete të rrezikshme vdekjeprurëse siç është edhe koktej molotovi.
"Si pasojë e vazhdimit të shprehjes së dhunës ka rezultuar me lëndimin e 72 zyrtarëve policorë, ku prej tyre 12 kanë pësuar lëndime serioze, ndërsa 2 zyrtarë të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshem mjekësor.
Policia e Kosovës deri në përfundim të protestës ka shoqëruar në stacione policore  160 protestues të dhunshëm, për intervistim dhe procedura të mëtejshme ligjore. Sipas informacioneve të pranuara nga Qendra Emergjente në Prishtinë, deri në këto momente 26 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore."Gjatë kësaj proteste të dhunshme janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në automjetet dhe pajisjet përcjellëse policore, duke përfshirë edhe dëmtime të hapësirës dhe pronës publike", bëri të ditur Policia kosovare. /a.ke/