Policia Rrugore e Beratit, ka vijuar anagazhimin për kontrolle në afërsi të institucioneve arsimore për sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, si dhe adresimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të përcjella nga qytetarët.

Gjithashtu Policia Rrugore dhe Forca “Shqiponja” kanë kryer monitorim dhe verifikime, për të konstatuar lëvizjen me mjete me shkarkues të modifikuar që gjenerojnë zhurmë.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë konstatuar 4 mjete në shkelje, ndërsa drejtuesit e tyre u janë vënë gjoba, në bazë të përcaktimeve të Kodit Rrugor.

Konkretisht, drejtuesi i një motomjeti me targë të huaj, i papajisur me siguracion dhe me shkarkues të modifikuar, i cili qarkullonte në afërsi të institucioneve arsimore, u ndëshkua me 14 000 lekë gjobë dhe motomjeti u bllokua.

Ndërkohë, 3 drejtues të tjerë mjetesh, që qarkullonin me shkarkues të modifikuar pranë institucioneve arsimore, u ndëshkuan me nga 4 000 lekë gjobë secili.

Policia e Beratit apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në afërsi të institucioneve arsimore.