Policia e Elbasanit ka sekuestruar sot tre armë zjarri. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov janë sekuestruar në një ambient pranë Burgut të Peqinit. Policia ka shoqëruar Landi Toskun, punonjës policie në këtë burg.
Sakaq, të njëjta burime konfirmojnë për Report Tv se Tosku është kushëriri i kryebashkiakut të Peqinit. Dyshohet se këto armë zjarri të cilat tashmë janë në duart e policisë, të jenë përdorur në ngjarje kriminale në aksin rrugor Elbasan-Rrogozhinë.
Report Tv ka siguruar edhe një foto të armëve që u gjetën. Vlen të përmendim se qyteti i Elbasanit është një ndër zonat e 'nxehta' sa i përket krimit.
Të shumta janë atentatet mafioze që kanë ndodhur, krime të cilat nuk kanë ende një autor. Armët e sekuestruara sot besohet se do t'i nënshtrohen ekspertizës për të zbuluar detaje.