Policia: Shkeljet dhe shpifjet që quan në përjashtimin e Shemsi Prencit

Policia bën publike dhe shkeljet dhe ankesat që janë adresuar në drejtim të Shemsi Prençit që në momentin kur ky u vendos në detyrën e tij si Drejtor i Policisë së Qarkut Dibër më 4 shkurt 2012.

“Pas fillimit të ushtrimit të detyrës prej tij, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u adresuan në mënyrë të përsëritur një numër ankesash:

1- nga drejtues dhe oficerë të policisë së këtij qarku për kërcënime, shantazhe dhe transferime në detyrë të tyre, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e Personelit të Policisë së Shtetit nga ana e Drejtorit Shemsi Prençi.

2- nga autoritetet vendore, për kapërcim të kompetencave dhe dhunim të akteve të përbashkëta të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Financave për ngritjen dhe funksionimin e një TASK-FORCE në Qarkun e Dibrës, nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi.

3- nga Zyra Përmbarimore e Rrethit Mat, për fyrje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor nga ana e drejtorit të Policisë Shemsi Prençi.

4- nga Zyra Përmbarimore Private, për fyerje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi.

5- nga subjekte private të licencuara në shfrytëzimin e mineralit të kromit për veprime në tejkalim të kompetencave dhe shantazhuese për shkak të konkurrencës tregtare, nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi.

6- vënie në dijeni nga ana e Prokurorive të rretheve Mat dhe Dibër për konstatimin e veprimeve të kundraligjshme të policisë së qarkut Dibër të urdhëruara nga drejtori Shemsi Prençi.

Në këto rrethana, si dhe nga disa raporte informuese të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për implikime të vazhdueshme të punonjësit të policisë Shemsi Prençi në veprime të kundraligjshme, më datën 23 Prill 2012, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin administrativ.

Në funksion të këtij hetimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me datën 24 Prill 2012, urdhëroi Pezullimin e përkohshëm në detyrë të drejtorit të policisë Shemsi Prençi, duke e vënë në dijeni për këtë ecuri.

Pas këtyre masave paraprake të marra në interes të hetimit administrativ, Drejtues i Parë Shemsi Prenci, me datën 25 Prill 2012, adreson publikisht fyerje dhe ofendime të rënda përpara mediave në adresë të drejtuesve të Këshillit të Ministrave, të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, në shkelje të rëndë të Ligjit për Policinë e Shtetit dhe në dhunim të statusit të depolitizimit të policisë.

Në ngarkim të punonjësit të Policisë së Shtetit Shemsi Prençi kanë qenë të regjistruara dy masa të mëparshme disiplinore “vërejtje me paralajmërim” gjatë dy viteve të fundit për shkelje të kryera nga ana e tij gjatë ushtrimit të detyrës.
Në përfundim të hetimit administrativ, me propozim të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosi “Përjashtimin nga Policia” të Drejtues i Parë Shemsi Prençi për“Kryerjen e veprimeve të pahijshme” si dhe “Shkelje ose mosushtrimi i kompetencave të Policisë”.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Shiste kanabis të ndarë në doza në Tiranë, arrestohet 33-vjeçari