Leonard Rakipllari, 37 vjeç dhe Adnand Hupi, 32 vjeç, janë arrestuar pasi u kapën duke lëvizur me një automjet të vjedhur, ndërsa dyshohen për një seri vjedhjesh makinash në Tiranë dhe Durrës. Në një prej rasteve, sipas Policisë, pronari i automjetit është kërcënuar me thikë.
Rakipllari dhe Hupi, të dy banues në Tiranë, ishin shpallur në kërkim për vjedhjen e një automjeti në Kavajë më 24 shtator 2026. Pas vjedhjes, sipas Policisë, ata janë ndihmuar të largohen nga Landi Dedej dhe Besmir Sula, të cilët janë arrestuar. Dedej dhe Sula akuzohen se kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Në vijim të hetimeve, Policia e Kavajës, në bashkëpunim me atë të Durrësit, organizoi operacionin e koduar “Cooperation” për kapjen e dy të kërkuarve.
Gjatë operacionit, efektivët lokalizuan automjetin me të cilin po lëviznin Rakipllari dhe Hupi dhe u bënë shenjë të ndalonin. Sipas Policisë, ata nuk iu bindën urdhrit dhe kundërshtuan veprimet e efektivëve.
Pas ndalimit u zbulua se edhe automjeti me targa të huaja me të cilin po qarkullonin ishte i vjedhur.
Nga hetimet dyshohet se Rakipllari dhe Hupi, gjatë muajit shtator, kanë vjedhur së bashku 5 automjete, tre në Durrës dhe dy në Tiranë. Në njërin prej rasteve dyshohet se kanë kërcënuar me thikë pronarin e makinës.
Adnand Hupi dyshohet gjithashtu se më 17 shtator ka vjedhur me dhunë një shumë parash, që ishte xhiroja ditore e një pike karburanti në Bulqizë.
Gjatë operacionit dhe hetimeve janë sekuestruar katër automjete, tre targa, tre çelësa automjetesh, katër celularë, veshje të përdorura gjatë vjedhjeve dhe mjete për hapjen e automjeteve.
Hetimet vijojnë për të zbuluar vjedhje të tjera që mund të jenë kryer prej tyre, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.









Komente
Komento