Policianë në “gjah” për të vdekur e
të kapur, VIP-at e harruar e në pranga

Policianë në “gjah” për të vdekur e<br />të kapur, VIP-at e harruar e në pranga
TIRANE- Kaos dhe vetëkënaqësi ka sjellë publikimi i 742 emrave të personave të kërkuar nga Policia e Shtetit. Në listë gjen hutime e thagma, pasi disa të kërkuar kanë vdekur, disa janë prapa hekurave, ndërsa të tjerët kanë mbaruar punë me drejtësinë. Ndërkaq, deri dje pasdite, faqen ëëë.asp.gov.al e kishin klikuar mbi 1 milionë e gjysmë njerëz. Në listë ishin edhe disa të vdekur, ku përmendet Çajup Qejvani, i dënuar për grabitje gjatë 1997, i vrarë më 19 tetor 2008 në Athinë.

Ministria e Brendshme thotë se ndërtoi një platformë të re komunikimi e bashkëpunumi ndërmjet publikut dhe Policisë së Shtetit, ku mund të gjenden informacione të plota, përfshirë të dhënat dhe foto, për të gjithë personat e shpallur në kërkim të dënuar nga gjykata me mbi 5 vjet heqje lirie. Nga 742 persona në kërkim, që konsiderohen si më të rrezikshëm, 47 janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 101 me 25 vjet burgim. Në këtë listë të kërkuarish 23 janë femra.

VIPA-at
Mbase “ngecja” në vitin 2005, ashtu siç u shpërfaq në strukturën e re të Policisë së Shtetit, ku të gjithë drejtuesit ishin larguar në atë vit, për t’u rikthyer rishtaz, pat bërë që askujt në polici të mos t’i kishte shkuar ndërmend se Izet Haxhia është arrestuar në Turqi, që prej 2006-ës. Madje, i akuzuari për vrasjen e Azem Hajdarit, mori nga gjykata e Strasburgut, 1400 euro, për shkelje në procedurat gjyqësore. Një tjetër gafë e pafalshme është vendosja e krahut të djathtë të Aldo Bares në listën e të kërkuarve. Enver Dondollaku  u dënua më 9 shkurt 2012, nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 25 vjet burg. Kështu, nr 2 i Bandës së Lushnjës, është në burg prej kohësh.

Përsëmbari është publikimi i emrit të ish-Shefit të Përgjithshëm të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, i cili rezulton në listën e personave të shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës për çështjen “Gërdeci” dhe i dënuar me 5 vite burg. Një tjetër emër i rëndësishëm është dhe ish-komandanti i Gardës së Republikës në vitin 1997, Xhahit Xhaferri dhe Arjan Cenga, ish-Shef Operativ, të dënuar nga gjykata për rebelim, e dezertim i kuadrit komandues. I kërkuar është edhe ish-anëtari i Bandës së Lushnjës, Jorgo Muzaka, i cili më 20 shtator të vitit 2011 është dënuar me 6 vjet burg.

Leart e Orik Shyti, 2 ish-anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”, për të cilët Gjykata Kushtetuese kërkoi rihetim dhe që kanë aplikuar për azil politik në Zvicër, janë në kërkim nga policia. E pafalshme mbetet vendosja e emrit të Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes), mes të kërkuarve, pasi ai është vrarë te Kartodromi në vitin 2003, apo rasti i “gruas-burrë” Zylfije Haklajt, e cila është arrestuar në vitin 2008, në Suedi, e maskuar si mashkull. Në të njëjtin shtet, datën e lindjes, më 13 mars të 2007-ës, policia arrestoi edhe Hamdi Haklajn, kurse sot është ende “në kërkim”.

Të arrestuarit “në kërkim”
Almir Haruni, më 7 mars 2009, u dënua nga një gjykatë italiane me burg  përjetë si autor i vrasjes së 4 shqiptarëve. Fatjon Kapo, është dënuar në Skoci më 17 gusht dhe u la i lirë me kusht nga gjykata Skoceze. Kastriot Fejzo u arrestua më 26 maj 2012 në Athinë të Greqisë e u dënua me 18 vjet burg për vrasjen e 2 komisionerëve të PS-së. Leonidha Kamburi, nga Korça, është arrestuar në 28 shkurt 2011 në Selanik të Greqisë, për vrasje. Valentin Frrokaj u arrestua më 15 gusht 2013 në Itali. U arratis nga burgu i Parmas në shkurt 2013 së bashku me Taulant Tomën.

Sokol Deçka u  arrestua më 27 dhjetor 2010 në një provincë të Perugias në  Itali, për vrasje të kryer në Shqipëri. Policia shqiptare më 2 gusht 2013, njoftoi për arrestimin e Apostol Buçajt, 42 vjeç, i dënuar me 25 vjet për vrasje me dashje, Thoma Canaj, 45 vjeç, i dënuar me 25 vjet për vrasje me dashje dhe Haris Murataj, 54 vjeç, i dënuar me 6 vjet për prodhim e shitje narkotikësh.  U njoftua se po kryhen procedurat për ekstradimin e tyre.
 
Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje