TIRANE- Shqipëria e meriton statusin dhe duhet ta marrë në fund të qershorit ndryshe BE do t’u përcjellë një mesazh të keq vendeve aspirante. Në konferencën ndërkombëtare organizuar nga presidenca greke për zgjerimin e BE, përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës ndanë të njëjtin qendrim se mungesa e përspektivës europiane do ishte një dramë jo vetëm për shtetet që kërkojnë integrimin por dhe për vetë BE.

“Drama më e madhe që kanë sot vendet e Ballkanit do të ishte mungesa e prespektivës e cila do krijonte terren të përshtatshëm për aktorë të tjerë dhe për ta vendosur timonin e Ballkanit për diku tjetër. Statusi ka lidhje me kredibilitetin e Shqipërisë sa i takon reformave dhe ky është proces stafetë që s’nis nga fillimi por kursi i reformave. Por i rëndësishëm është kredibiliteti i vendeve të BE për të mos rënë në kurthet e çështjeve që konsiderohen bilaterale dhe që s’konsiderohen pjesë e procesit të integrimit. Kredibliteti nuk do mund të konceptohej i jetësuar nga parashikueshmëria.

Do ishte një sinjal stabilizues e sinjal i mirë dhe për Ballkanin Perëndimor e sinjal i mirë për Europën sepse siç thoshte Fyle procesi i zgjerimit e konsdieron ADN e BE, por dhe për një fqinjësi të mire”, tha Bushati. “Për opozitën shqiptare vendimi për marrjen e statusit të vendit kandidat, e kemi konsideruar të vonuar. Larg qoftë një vonesë tjetër, apo një vendim jo pozitiv në datën 24 qershor, jo vetëm që nuk është i mirëpritur, por do ta bënte proçesin jo vetëm problematik, por edhe me më pak kredibilitet. Për aq kohë që proçesi i integrimit europian dhe i zgjerimit është konsideruar gjithmonë si një proçes i bazuar në merita dhe arritje, atëherë ky vendim besoj do të jetë një vendim pozitiv. Jam e bindur se Shqipëria e ka merituar me kohë marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha Bregu.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)