“Regjimi iranian ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Vendi është i rrënuar. Dhe mungon një lider i vërtetë karizmatik që të jetë në gjendje të ndërmjetësojë mes moderatëve dhe ekstremistëve, siç ndodhte në të kaluarën,” thotë politologu Gilles Kepel në një intervistë për Corriere.
Si e lexoni vendimin për të dërguar më në fund në Islamabad ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi?
“Shtëpia e Bardhë ka ushtruar një presion të madh mbi Teheranin, pa përdorur armët, por përmes kundërbllokadës detare. Dhe tani amerikanët gëzojnë një avantazh të vogël: Irani është i shkatërruar edhe në infrastrukturat civile. Reprezioni i brendshëm është i tmerrshëm: çdo ditë ka dënime me vdekje dhe ekzekutime të kundërshtarëve. Por pikërisht kundërbllokada detare e SHBA-së, që në thelb është po aq pirate sa ajo iraniane në Hormuz, ka qenë masa më e suksesshme. Sot Irani nuk mund të eksportojë më naftë, mungojnë paratë për të mbajtur në funksion atë pak që ka mbetur. Situata e brendshme është aq e rëndë sa edhe drejtuesit më të ashpër janë të detyruar të pranojnë rifillimin e negociatave.”
Pse Araghchi, në rrugën drejt Pakistanit, flet me Rusinë dhe Omanin?
“Irani, duke bombarduar vendet aleate ose të paktën jo armike në Gjirin Persik, është izoluar. Bombardimet, sidomos kundër Katarit në fazën më të nxehtë të luftës, mund të kenë qenë të dobishme për të krijuar kaos. Por Katari ishte një mik i Teheranit, të bashkuar nga ideologjia e Vëllazërisë Myslimane kundër imperializmit amerikan, dhe sot nuk është më. Ajo që mund të ishte e dobishme gjatë luftës bëhet një problem i madh në fazën politike. Për më tepër, shumë vende të Jugut global vuajnë pasojat e bllokimit të Hormuzit: mungesa e naftës dhe plehrave kimike shkakton dëme ekonomike gjigante. Irani nuk është më hero në luftën kundër Uashingtonit, por përgjegjës për varfërinë. Prej këtu vjen përpjekja për t’i shpëtuar izolimit, por nuk besoj se do të funksionojë me Omanin, i cili kontrollohet nga monarkitë e Gjirit.”
Pasojat?
“Sukseset relative të Iranit në javët e para të luftës i përkasin së kaluarës. Sot regjimi është në krizë më të madhe se kurrë.”
Sa peshë kanë ndarjet e brendshme në klasën drejtuese iraniane, që sigurisht nuk janë të reja?
“Në të kaluarën, Lideri Suprem ishte arbitri përfundimtar. Sipas momenteve, regjimi linte një hapësirë relative për përplasjet mes fundamentalistëve dhe moderatëve. Figura e presidentit ishte zakonisht ajo e një lideri të hapur ndaj ndikimeve perëndimore, si Khatami apo Rouhani, por më pas vinte ndërprerja dhe lideri, nga Khomeini te Khamenei, mblidhte radhët dhe thoshte fjalën e fundit. Sot nuk ka më askënd. Mojtaba Khamenei është djali i Liderit Suprem të fundit: një fakt i paprecedent për traditën e Republikës Islamike, e cila gjithmonë ka refuzuar parimin e trashëgimisë dinastike. Për më tepër, Mojtaba, gjendja shëndetësore e të cilit është e panjohur, nuk ka aspak karizmën e të atit, nuk është ekspert i madh i besimit shiit, nuk ka kredenciale intelektuale dhe fetare, është thjesht një militant i Pasdaranëve.”
Një regjim pa legjitimitet?
“Sigurisht, Mojtaba nuk ka titujt për të ushtruar pushtetin që i është dhënë nën presionin e bombardimeve. Nuk mund të jetë figura që bashkon tensionet e brendshme politike. Kjo është dallimi i madh me të kaluarën. E kemi parë edhe gjatë negociatave me SHBA-në. Fillimisht ishte artikulli i ish-ministrit të Jashtëm Mohammad Javad Zarif, i cili në Foreign Affairs fliste për nevojën e negociatave. Pastaj linja e ashpër e regjimit frenoi, duke synuar zgjidhjen ushtarake. Sot kundërbllokada ka shtyrë kampin pragmatist, me presidentin Pezezshkian dhe ambasadorin e tyre në OKB, të mposhtin rezistencat e atyre që preferonin bisedimet në Stamboll dhe të dërgojnë Araghchi në Pakistan.”
Dhe Evropa?
“Evropa po tregohet armike ndaj Shteteve të Bashkuara të Trump. Megjithatë, ajo po mobilizohet për të mbajtur të hapura ngushticat e Hormuzit dhe Bab el-Mandeb pas përfundimit të luftës, në pritje të zgjedhjeve të ndërmjetme, të cilat mund ta dobësojnë seriozisht Trump.”/Corriere della Sera
Komente










HORMUZIN E KONTROLLON IRANI.Gazetaret e jane klloun dhe skllever te Propagandes.Lorenzo Cremonesi eshte nje nder gazetaret servil dhe fallco qe ka ne Itali.IRANI E KA FITUAR ME KOHE BETEJEN DHE BOTA EVROPIANE DHE PERENDIMORE DEMOKRIMINALATICE PO HUMBET LUFTEN DHE PO VARFEROHET TMERRESISHT. Lehni o Gazetare qe shkruani me gjuhen varur ....
PërgjigjuKeshtu mashtronte dhe trump per ushtrine e Iranit qe gjoja ishte eleminuar totalisht por realiteti eshte qe ata kontrollojne trafikun detar ne gjirin e Hormuzit dhe ushtria amerikane qendron me qindra milje larg , keshtu qe edhe kjo propagande qe behet per ekonomine e Iranit eshte komplet mashtrim i radhes
Përgjigju