Partia Demokratike vijon akuzat ndaj kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Deputeti demokrat Genc Pollo deklaroi këtë të premte në një konferencë për shtyp se kryebashkiaku do të kishte dhënë dorëheqjen, nëse cështja e tij do të trajtohej në një vend normal.

Pollo u shpreh se ndonëse kanë kaluar 30 ditë qëkur përgjimet zyrtare të prokurorisë ndaj bandës së Avdylajve dëshmuan se Daku ishte palë kontraktore me këtë bandë, partia socialiste ende nuk e ka zhveshur Vangjush Dakon nga funksionet partiake. Për qëndrimin e Dakos në postin e kryebashkiakut, deputeti i PD-së akuzoi konkretisht shefin e mazhorancës, Edi Ramën.

Në fund të fjalës së tij, Pollo i bëri thirrje qytetarëve që të mos rreshtin e të mos lënë gur pa përmbysur derisa Shqipëria të kthehet në një vend normal, ku banditët pa krevatë përfundojnë në burg.

Fjalim i plotë i deputetit demokrat, Genc Pollo:

Kanë kaluar 30 ditë që kur përgjimet zyrtare të prokurorisë ndaj bandës së Avdylajve, dëshmuan se Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit e shef politiko-elektoral i partisë rilindiste në pushtet për krahinat Durrës, Shijak e Krujë, është në pale kontraktore me këtë bandë: Avdylajt i mbledhin vota me para e kërcënime.

Shefrilindisti lokal i shpërblen duke i mbrojtur nga policia, duke i dhënë tendera e leje ndërtimi dhe duke ja emëruar minibanditët me shkollë në drejtoritë e Durrësit. Në një vend normal, nuk po them anëtar i NATO-s e kandidat për në Bashkimin Europian, por thjesht në një vend normal, kryebashkiaku do të kishte dhënë dorëheqjen të nesërmen, për t'i çelur rrugë hetimit të pandikuar. 

Në një vend normal, nëse kjo nuk do të ndodhte, partia e tij do ta  zhvishte nga funksionet partiake e do të procedonte me përjashtimin e tij. Në një vend normal, shefi i mazhorancës e qeverisë do e denonte aktin e ofiqarin, e të paktën do insistonte në sqarim të plotë e hetim të thelluar. Në Shqipërinë rilindiste, prej 5 vitesh Kryebashkiaku tërsëllon kundër kritikëve e kundërshtarëve që i lexojnë dosjen, herë me zë të trashë e herë me qesëndi, madje i pakursyer në padi.

 Partia e tij nuk mund t'i bëjë gjë pasi nuk është më ose gjallon nën thundrën bandito-rilindiste. Shefi i mazhorancës i jep mbrojtje mbi e nën rrogoz dhe së shpejti pritet të apelojë që kush foli e mendoi keq për Dakon, t'i kërkoi atij falje publike.

Prandaj zonja e zotërinj është detyrë primare e opozitës por edhe e gjithë shoqërisë të mos rreshtim e të mos lëm gur pa përmbysur deri sa të jemi sërish vend normal ku banditët me e pa kravatë të mos rrinë në zyra e nëpër rrugë por aty ku e kanë vendin: në burg.