OSWIECIM (Poloni), 27 janar /ATSH-DPA/ - Liderë botërorë bënë thirrje sot kundër antisemitizmit në ndërkohë që përkujtimit të 70-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të përqëndrimit të Aushvic-Birkenaut si edhe Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Duke folur në parlamentin gjerman, presidenti Joachim Gauck tha se "kujtimi i Holokaustit mbetet një çështje për të gjithë gjermanët".
"Nuk ka identitet gjerman pa Aushvicin. Ai i përket historisë së këtij vendi", deklaroi Gauck në Bundestag.
Ndërkohë, kancelarja Angela Merkel u kërkoi gjermanëve të mos harronin dhe përshëndeti faktin se rreth 100 000 hebrenj jetonin aktualisht në Gjermani.
Në fjalimin e saj Merkel theksoi se Aushvici ishte një paralajmërim se njerëzit nuk duhej të mbështesnin slloganet e urrejtjes kundër refugjatëve dhe emigrantëve.
Presidenti francez, François Hollande i mëshoi faktit se rritja frekuente e akteve antisemite ishte një realitet i patolerueshëm.
"Për t'u përballur me këtë realitet, qeveria do të bëjë publik një plan të gjerë për të luftuar kundër antisemitizmit dhe racizmit. Plani përfshin edhe rritjen e sigurisë dhe marrjen e masave ndaj dezinformimit dixhital dhe propagandës", theksoi ai.
"Franca është vendi juaj" iu drejtuar presidenti Hollande hebrenjve që jetojnë në vendin e tij dhe që po kërkojnë të largohen pas atentateve terroriste të mesjanarit të këtij viti.
Kryeministri britanik, David Cameron theksoi rëndësinë e kujtimit të Holokaustit si mënyrë për të luftuar diskriminimin.
"Te çështja se përsa duhet ta kujtojmë Holokaustin futet edhe marrja fund e antisemitizmit, e paragjykimeve dhe urrejtjes", tha ai.
Në përbërje të ceremonive përkujtimore që po zhvillohen në Poloni janë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon dhe presidenti izraelit, Reuven Rivlin.
Pritet që presidenti rus, Vladimir Putin ta përkujtojë ngjarjen me një fjalim në Moskë.
Kampi i përqëndrimit në Aushvic-Birkenau u çlirua nga Ushtria e Kuqe më 27 janar 1945./ a.jor.