POLONI - Presidenti amerikan Barak Obama deklaroi se SHBA do të caktojë një fond prej një miliard dollarësh për sigurinë në Evropë, si rezultat i ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë. Në Varshavë, ndalesa e parë e turit katërditor që po zhvillon në Evropë, Obama u shpreh se do t’i bënte thirrje Kongresit ta miratonte këtë fond, i cili do të jetë një demonstrim i fuqishëm i angazhimit të palëkundur të Amerikës me aleatët e saj të NATO-s. Presidenti i SHBA u tha gjithashtu gazetarëve në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij polak se SHBA nuk ishin të interesuara të kërcënonin Moskën, por ta paralajmëronin se do të duhej shumë kohë për të rifituar besimin pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.

“Ne e pranojmë që Rusia ka interesa legjitime për ato që ndodhin përgjatë kufijve të saj dhe që ka një marrëdhënie historike me Ukrainën, por ne gjithashtu besojmë se parimet e integritetit dhe sovranitetit territorial duhet të respektohen, parime të cilat Rusia i ka shkelur”, u shpreh ai.

Obama tha se po përgatiteshin sanksione të reja kundër Rusisë nëse Perëndimi do vazhdonte ta shihte atë të angazhuar në veprimtari që do të destabilizonin Ukrainën.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)