/ ATSH - Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Melsi Labi ka pritur sot në një takim ambasadorin e Republikës së Polonisë në Tiranë,  Merek Jeziorski.
Labi dhe Jeziorski biseduan lidhur me projektin më të afërt, ekspozitën e pikturave, që do të çelet në ambientet e muzeut në fillim të muajit maj, piktura këto të cilat do të nxjerrin në pah vlerat e historisë së popullit polak.

Marrëdhëniet e mira bilaterale mes Ambasadës së Republikës së Polonisë dhe Muzeut Historik Kombëtar janë nënvizuar edhe gjatë takimit të sotëm mes ambasadorit Merek Jeziorski dhe drejtorit të MHK-së Melsi Labi.

Sakaq, ambasadori polak gjatë takimit përveç të tjerash theksoi se "kam kënaqësinë të ndodhem në vendin, ku shpaloset e gjithë historia e kombit shqiptar, komb i cili meriton mirënjohjen tonë më të thellë jo vetëm pse i erdhi në ndihmë hebrenjve polakë gjatë Luftë së Dytë Botërore, por edhe për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona sot".

Nga ana e tij, Labi shprehu gatishmërinë për të intensifikuar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë në fushën e artit dhe kulturës.