Një bombë gjermane ka detyruar autoritetet polake të evakuojnë rreth 10 mijë persona nga qyteti i Bialystok gjatë ditës së sotme.
 
Mësohet se bomba gjermane prej 500 kilogramësh e cila i përkiste Luftës së Dytë Botërore, është zbuluar gjatë disa punimeve ndërtimore.
 
Për shkak të rrezikut të lartë të shpërthimit që kjo bombë paraqiste në momentin e lëvizjes, autoritetet bashkiake kanë evakuar 105 rrugë në qytetin e Bialystok, i cili është qyteti më i madh i Polonisë verilindore.
 
Gjithashtu janë evakuuar edhe rrugët në të cilat është parashikuar të lëvizin kamioni i cili do të transportojë bombën drejt ambienteve ushtarake, ku do të bëhet edhe asgjësimi i saj.

(D.T/Shqiptarja.com)