Më 26 mars në Varshavë do luhet sfida play-off për Kupën e Botës 2026 mes Polonisë dhe Shqipërisë. Sfida teke vendos për ekipin që do kalojë në finalen play-off për një biletë në Grupet e Botërorit që do zhvillohen këtë verë nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Federata polake ka nisur shpërndarjen e biletave për ndeshjen që do të luhet në stadiumin “PGE Narodowy”. Interesimi i lartë nga ana e tifozëve polakë për këtë sfidë vendimtare ka bërë që presidenti i federates polake, Cezari Kuleza të refuzojë kërkesën e palës shqiptare për të pasur më shumë sesa 5% e kapacitetit të stadiumit, sipas rregulloreve të UEFA-s.

Tifozët kuqezinj do të kenë në dispozicion 3000 vende në stadium, pavarësisht se një përpjekje për ta çuar shifrën në 5000 bileta bëri edhe ambasadorja e Shqipërisë në Poloni, Mimoza Halimi që takoi krerët e federatës. FSHF nga ana e vet ka siguruar edhe afro 100 bileta në tribunën VIP për sponsorët dhe zyrtarët e saj, ndërsa numri i kuqezinjve në stadium pritet të jetë i limituar.

“PGE Narodowy” në Varshavë ka një kapacitet prej 58 mijë e 580 ulësesh dhe pritet një atmosferë e zjarrtë për përballjen play-off. Fituesi i këtij dueli do përballet me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi për një biletë në Grupin F të Kupës së Botës 2026.