Kryeministri i Singaporit, Lawrence Wong ka thënë se qeveria do të ofrojë pothuajse 70,000 dollarë singaporianë (55,048 dollarë amerikanë) si mbështetje financiare për çdo fëmijë deri në moshën 17 vjeç. Politika nis që në lindje, me një pagesë prej 10,000 dollarësh singaporianë për foshnjën dhe dy pagesa të veçanta prej 5,000 dollarësh për shpenzimet mjekësore dhe arsimore.
Masat e tjera përfshijnë 2,000 dollarë singaporianë në “kredi për fëmijët” nga mosha një deri në 16 vjeç, uljen e tarifave për kopshtet e subvencionuara nga qeveria në 150 dollarë në muaj dhe dhënien e më shumë lejeve prindërore.
“E ardhmja e Singaporit do të jetë po aq e fortë sa familjet që e ndërtojnë atë,” tha Wong.
Norma e lindshmërisë në Singapor për gratë në moshë fertiliteti është në nivelin rekord të ulët prej 0.87. Një normë nën “nivelin e zëvendësimit” prej 2.1 është tashmë e zakonshme në mbarë botën, por Singapori bën pjesë në grupin e vendeve aziatike me normat më të ulëta në botë, së bashku me vende si Koreja e Jugut dhe Tajvani.
Për qeveritë, ky trend demografik përbën një sfidë të madhe ekonomike, pasi një përqindje më e vogël e të rriturve në moshë pune duhet të mbështesë një popullsi gjithnjë e më të madhe të moshuarish.
Parashikohet që këtë vit Singapori të arrijë statusin e një shoqërie “super të plakur”, që OKB-ja e përkufizon si një vend ku më shumë se 21% e popullsisë është 65 vjeç ose më shumë.
Një sondazh i publikuar këtë muaj nga YouGov ka zbuluar se një në katër singaporianë thotë se nuk planifikon të ketë fëmijë.
Ata shqetësohen për sfidat e rritjes së fëmijëve dhe për ndryshimet që kjo do të sillte në jetën e tyre.
Singaporianët që dëshirojnë të kenë fëmijë vazhdojnë të shqetësohen për kostot e rritjes. Presioni shoqëror, përfshirë një sistem arsimor shumë konkurrues dhe vende pune me kërkesa të larta, si dhe nevoja për mbështetje për kujdesin ndaj fëmijëve për shkak se të dy prindërit punojnë, po ndikojnë gjithashtu në rritjen e ngurrimit të tyre për të krijuar familje.
Shumë prej tyre thonë se vetëm ndihma financiare nuk mjafton, pasi ndryshimi më i madh me masat e reja do të jetë koha. Tashmë leja për kujdesin e fëmijëve nuk do të jetë më 2 ditë, por 12 për secilin prind duke bërë që ata të punojnë dhe paralelisht të përballojnë përgjegjësitë e prindërimit, pa shfrytëzuar pushimet vjetore./The Guardian









Komente
Komento