UKRAINE - Presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Petro Poroshenko, u zotua se do të ndëshkojë “banditët”, pas rrëzimit të helikopterit ushtarak nga rebelët prorusë ku mbetën të vrarë 12 persona. “Këto akte kriminale të armiqve të popullit të Ukrainës nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar”, -u shpreh ai.

Helikopteri u rrëzua në qytetin lindor të Slovianskut pasi kishte lënë trupat që kishte në bord në një bazë ushtarake. Mes viktimave mbeti i vrarë edhe një gjeneral. Sloviansku është përfshirë kohët e fundit nga luftime të ashpra mes rebelëve dhe ushtrisë ukrainase.

Nga ana tjetër Rusia ka përsëritur thirrjet ndaj Ukrainës që të ndalë veprimet ushtarake kundër rebelëve prorusë dhe “të nisë një dialog të vertëtë kombëtar”.

Kjo ishte një nga humbjet më të mëdha të forcave qeveritare në konflikt. Javën e kaluar të paktën 14 ushtarë mbetën të vrarë në një sulm ndaj një pike kontrolli të ushtrisë afër Donetskut. Në fillim të muajit separatistët rrëzuan dy helikopterë të ushtrisë pranë Slovianskut ku mbetën të vrarë një pilot dhe një ushtarak.

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)