/ATSH-AFP/ - Ushtria ukrainase u largua nga Debaltseve dhe e braktisi për rebelët pas dhjetëra ditëve luftë, njoftoi sot presidenti ukrainas, Petro Poroshenko para se të nisej për në lindjen rebele.
"Sot në mëngjes, forcat e ushtrisë ukrainase me gardën kombëtare kanë përfunduar operacionet e evakuimit planifikuar dhe organizuar nga njësitë tona ushtarake të Debaltseves", deklaroi presidenti ukrainas në një fjalim për Kombin të mbajtur në aeroportin e Kievit.
"Në këto momente që flasim ,80 për qind e njësive tona kanë dalë, ne presim ende edhe dy autokolana të tjera", shtoi ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin u kërkoi dje autoriteteve të Kievit të mos pengonin ushtarët ukrainas, të rrethuar nga separatistët prorusë në Debaltseve, të dorëzonin armët për të mos rrezikuar armëpushimin në këtë vend.
"Nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Ukrainë mes forcave të Kievit dhe separatistëve prorusë", deklaroi dje presidenti rus Vladimir Putin ndërkohë që luftime të ashpra vazhduan edhe dje në mbrëmje në Debaltseve, në lindje të vendit.