Burime nga dispeçeria portuale, bëjnë me dije se që nga orët e para të ditës së mërkurë në portin më të madh të vendit janë ankoruar dhe kanë nisur të shkarkohen anija "Vega epsilon" me 470 kontenierë, anija "Gulizar" me 3063 ton ure', anija "Amethyst" me 3033 ton grurë dhe anija "Thunder" me 2429 ton pllaka zdrukthi dhe hekur.
Sipas të njëjtave burime, në kalatën 11 do të ankorohet pas disa orësh anija "Maestro Eagle", që do të shkarkojë 10.999 ton qymyr . Sot priten në port anijet "Vega Aquila" dhe "MSC Jilhan", që do të shkarkojnë 263 kontenierë gjithsej. Në 24 orët e ardhshme do të fillojë edhe përpunimi i anijeve "Union", "Frosina" dhe "Angela", me përkatësisht 2462 ton llamarinë, 2500 ton çimento dhe 5082 ton kripë.
Gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar afro 864 mijë ton mallra gjithsej, ose 12 për qind më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vëllimet e eksporteve dhe importeve të kësaj periudhe nëpërmjet portit më të madh të vendit kanë një diferencë shumë të vogël, prej 26 mijë ton.