Porti i Durrësit, lidhet kontrata me konsulentin që do vlerësojë tokën para projektit 2 mld euro

Porti i Durrësit, lidhet kontrata me konsulentin që do vlerësojë tokën para projektit 2 mld euro

Porti i Durrësit

Porti i Durrësit ka lidhur së fundmi kontratën me kompaninë konsulente që do të bëjë vlerësimin inxhinieriko – mjedisor për zonën industriale ku është shtrirë aktiviteti ndër vite.

Ky vlerësim vjen në kushtet kur sipërfaqja që sot shfrytëzohet nga Porti do ti lërë vend kthimit të saj në një zonë rezidenciale dhe rekreative.

Kompania EccAT Environmental Consulting, Chemical Analysis e shpallur fituese do të ketë 45 ditë kohë për të përgatitur raportin e nevojshëm me të dhënat që do të gjenerohen nga terreni.

Në përshkrimin e kontratës nga Autoriteti Portual Durrës që është dhe subjekti që ka kërkuar shërbimin thuhet se me ndryshimin e kategorisë së tokës nevojitet të shihet përshtatshmëria për destinacionin e ri dhe vlerësohet cilësia mjedisore e dherave/tokave për ndërtime brenda kësaj sipërfaqeje.

“Aktivitetet në Port, që prej ndërtimit të tij, kanë qenë kryesisht depozitimi dhe procesimi i ngarkim – shkarkimit të mallrave të të gjitha llojeve duke filluar nga mineralet, karburantet, kimikatet bujqësore dhe industriale deri tek produktet ushqimore të thata dhe/ose të freskëta. Pёr një kohë rreth 100 vjecare mineralet, lëndët e para dhe produktet industrial kanë patur ndikime në tokë dhe nën tokë për shkak të erozioneve, infiltrimeve dhe përzierjeve të shtresave të dheut nga gërmime dhe mbushje/sheshime. Pritet që ndotjet nga kripëra të tretshme dhe të pa tretshme të jenë prezente në shtresa të ndryshme të tokës. Me ndryshimin e destinacionit të sheshit të operimit kërkohet që cilësia kimike e tokës të vlerësohet duke përcaktuar, pas analizave kimike gjeoteknike, shkallën e ndotjes dhe rrezikun potencial që ato paraqesin për shëndetin human” thuhet në dokument.

Raporti do të nxjerrë ketë parasysh vlerësimin për cilësitë mjedisore të tokës deri në thellësinë e themeleve të ndërtesave të parashikuara sidomos në përmbajtje të klorureve, sulfateve, metaleve të rëndë, pesticideve dhe hidrokarbureve.

Në rast se do të konstatohen vlera mbi normat e lejuara të standardeve ndërkombëtare atëherë do të ofrohet konsulencë edhe mbi masat që mund të merren për të rehabilituar tokën.

Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin.

Në fokus të saj ishin tre pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.

Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit.

Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.

Teksa projekti, për vetë përmasat, vlerën e investimit por edhe akuzave që e kanë shoqëruar mbi kompaninë zbatuese, që nuk është drejtpërdrejt EMAAR, shihet disi me sy konservator, institucionet shqiptare këmbëngulin se ai do të bëhet realitet.

Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte Symphony Real Estate Development që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite