Porti i Durrësit, po kontrollohen
tre koncesione të Berishës

DURRES- Në Portin e Durrësit ka ditë që po punohet me intensitet nga një ekip specialistësh të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, të cilët po shqyrtojnë koncesionet që u dhanë në këtë port nga qeveria “Berisha”.

Burime nga APD-ja bëjnë me dije se ky është një proces i vështirë, pasi kërkon interpretime të sakta juridike lidhur me shkeljet e konstatuara në proçesin e dhënies së këtyre koncesioneve.

Qëllimi i këtij kontrolli është anulimi i tyre, pasi veç të tjerave,  kanë dëmtuar jo pak punën në Portin detar të Durrësit. Bëhet fjalë për 3 koncesione, njëri prej të cilëve u dha disa muaj përpara zgjedhjeve të qershorit dhe dy të tjera pas këtyre zgjedhjeve.

Efekti i parë negativ që u konstatua pas dhënies së koncensioneve ishte disa dhjetra punonjës të pushuar nga puna.

Ndërkohë bëhet me dije se koncensionet e tjera nuk do të cënohen, pasi janë thjesht për kryerje shërbimesh.

Koncensionet që po kontrollohen janë ai i Terminalit të Trageteve, i kalatës lindore apo ndryshe i terminalit lindor dhe ai i terminalit të konteinerëve.

Me datën 11 shtator 2013 u kryen procedurat e dorëzimit të terminalit të trageteve te shoqëria koncesionare së bashku me punonjësit e saj.

Kjo ndodhi vetëm 4 ditë përpara se qeveria “Berisha” të dorëzonte detyrat. Kjo kontratë u lidh në fund të muajit gusht brenda një kohe të shkurtër ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe shoqërisë Albanian Ferry Terminal Operator shpk.

Disa ditë përpara dhënies së këtij koncesioni ishte dhënë me koncesion edhe kalata lindore e portit të Durrësit. Më saktë gjithcka ishte finalizuar me datën 15 korrik 2013.

Ky koncesion u nënshkrua nga Ministria e Transporteve me shoqërinë EMS Albanian Port Operator shpk.

Ky koncesionar ka të drejtë të menaxhojë ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve kryesisht me mallra rifuxhio si dhe të gjitha shërbimet që lidhen me këto proçese.

Ndërsa koncesioni i tretë, që po i nënshtrohet kontrollit, është ai i terminalit të kontenierëve, i cili i është dhënë kompanisë turke Kurum.

Kjo e fundit është në ortakëri me një shoqëri malteze. Ky koncesion është finalizuar në muajin shkurt të vitit që shkoi. Që të treja koncesionet janë dhënë për një periudhë 35-vjeçare.

Në kohën kur u dhanë koncesionet, nga ana e punonjësve të portit u tha se gjithçka po bëhet për të mbajtur në punë militantët dhe anëtarët e PD-së, ndërkohë që eksponentë të kësaj partie janë ortakë me shoqëritë koncesionare.

Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 21 Janar, 08:38

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Lushnjë/ Zjarri shkrumbon banesën, shpëton në kohë familja! Shkak dyshohet shkëndija elektrike dhe oxhaku, stakohet energjia elektrike në zonë

Lushnjë/ Zjarri shkrumbon banesën, shpëton në kohë familja! Shkak dyshohet shkëndija elektrike dhe oxhaku, stakohet energjia elektrike në zonë