Vetëm një vit pasi ka marrë miratimin nga Kuvendi për përgatitjen me prcedencë të një projekti për Portin e Karpenit në Kavaja, me parashikim investimi prej 5 miliardë dollarësh, kompania nismëtare Star Bridge Port Developments Limited, që kishte shprehur edhe interes për atë që u quajt projekti “Morgan”, ka vendosur të zyrtarizojë prezencën e saj në Shqipëri.

Referuar ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton që STAR BRIDGE PORT DEVELOPMENTS (ALBANIA) të jetë regjistruar në prill 2017, si subjekt shqiptar me administrator Michael George Poëder-Kent. Ortakë të saj janë me 5% Arjan Stajka, me 35% GL2 Albania, dhe 60% Star Bridge Port Developments Limited. Kapitali i kompanisë, sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB, është qesharak: 1.000 lekë.

Vitin e kaluar, kur Star Bridge Development Limited dorëzoi projektin për zhvillimin e Portit të Karpenit, sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ai “ishte një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjioze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve”.

Në atë kohë kompania nuk ishte regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sa u përket ortakëve të tjerë, GL 2 Albania është e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2010 dhe operon kryesisht në fushën e konsulencës, projektimit dhe ndërtimit. Nga ana tjetër ortaku, Arjan Stajka rezulton si aksioner i vetëm në kompaninë Viki sh.p.k., që sipas ekstraktit të QKR është regjistruar qysh nga viti 2003. Edhe kjo kompani operon në kryesisht në fushën e ndërtimit.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com