Porti i Karpenit, PD: Kompania
fantazmë asnjë aktivitet në 3 vite

Porti i Karpenit, PD: Kompania<br />fantazmë asnjë aktivitet në 3 vite
Partia Demokratike hedh dyshime mbi kompaninë që pas një ligjit të miratuar me urgjencë në kuvend pritet të investojë 5 miliardë euro për ndërtimin e një porti në Kavajë.  PD përmes deputetes Jorida Tabaku shtron disa pyetje për Ministrinë e Ekonomisë për investitorët që duan të marrin 1700 hektarë tokë publike dhe private për ndërtimin e portit të Karpenit në Kavajë. “Ajo që kërkova dje dhe vazhdoj të kërkoj edhe sot është vetëm një gjë: Cilët janë investitorët që duan të marrin 1700 Ha tokë publike dhe private? Pse kompania u shit në Singapor vetëm dy ditë përpara se të kalonte në Kuvend ligji? Pse bëhet pazar me pronat e 220 pronarëve në këtë zonë?”-pyet Tabaku. PD kërkon informacion se pse kompania që për tre vjet nuk ka gjeneruar të ardhura e nuk ka pasur aktivitet u zgjodh për këtë investim. “Nga një kërkim i thjeshtë në internet del ky informacion mbi kompaninë kryesore që do të fillojë negociatat me Ministrinë: Kompania Britanike Star Bridge Port Limited siç është theksuar në deklaratë është krijuar në vitin 2011.

Sipas të dhënave të marra nga “Companies House” (që është qendra e informacionit për kompanitë e regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar), rezulton se kompania Britanike së cilës bëhet fjalë t’i jepet Karpeni ka dorëzuar nga viti 2013 deri në vitin 2016 Bilancin e tipit “kompani e fjetur”, pra një llogari që nuk ka pasur asnjë aktivitet tërheqje apo depozitimi në 3 vitet e fundit. Si ka mundësi që një kompani që ka shpenzuar miliona euro në vepra të ngjashme dorëzon në Britani një bilanc të këtij lloji?”-pyet Tabaku. Ajo shton më tej se kompania që ka blerë (sipas të dhënave të marra nga Companies House) kompaninë Star Bridge Port Limited, është një kompani me seli në Singapor e cila nuk mundet t’i gjendet asnjë adresë interneti për punët që ajo ka kryer. “Një blerje e tillë ngre pikëpyetje jo vetëm mbi kompaninë Star Bridge Port Limited por edhe mbi raportet e saj me kompani serioze. A mundet vallë që një kompani serioze të shitet tek një kompani fantazmë që ekziston vetëm me një kuti postare në Singapor?! A mundet që një kompani serioze që ka shpenzuar miliona euro, të mos ketë projekte të saktësuara në faqen e saj të internetit?!”-pyet Partia Demokratike. Ajo hedh edhe më shumë dyshime kur thotë se kompania në fjalë nuk ka asnjë punonjës.

“ Gjithashtu nga një hulumtim mbi strukturën e kompanisë Britanike e cila pretendohet të jetë serioze në fushën e ndërtimit, si ka mundësi që nga gjithë faqet Britanike rezulton se struktura e kompanisë në fjalë është tejet e varfër për një kompani që do të shpenzojë 5 miliardë euro, pra sa 1/5 e shumës së TAP?! Dhe i gjithë ky investim do t’u realizoka nga një kompani që nuk ka as edhe një punonjës, por vetëm një Bord Drejtorësh? A mund të flasim për negocim kur nuk kemi asnjë plan konkret dhe asnjë të dhënë të saktë sa i takon kompanisë që bëri propozimin e pa-kërkuar? Asnjë kompani serioze nga ato që përmend Ministria nuk ka ardhur në Shqipëri. Asnjë ofertë serioze nuk ka ardhur në lidhje më këtë projekt. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur e prandaj ka shumë pikëpyetje”,-thuhet ndër të tjera nga deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë