TIRANË - Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës reagoi sot lidhur me situatën e krijuar në Portin e Vlorës, duke urdhëruar që të merren masa për të mbuluar me shërbim cilësor dhe të plotësohen maksimalisht kërkesat për transport të pasagjerëve dhe mjeteve, çdo ditë të javës.

Përmes një njoftimi për shtyp nga kjo ministri bëhet e ditur se, me urdhër të MTI-së u ngrit sot një grup Ad-Hoc i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, i cili në bashkëpunim dhe në prani të drejtorëve dhe ekipit drejtues të Portit Detar Vlorë dhe Drejtorisë së Përgjithshme Detare, si dhe Kryekapitenit të Porteve, inspektoi shërbimin e transportit detar të pasagjerëve në Portin e Vlorës.

Grupi Ad-Hoc u njoh me situatën për garantimin e aksesit dhe trajtimit të barabartë në treg, bazuar në parimet e konkurrencës së lirë, si dhe me situatën për garantimin e sigurisë së përpunimit të anijeve.

Pasi u njoh dhe analizoi problematikën dhe situatën e krijuar në këtë port, grupi Ad-Hoc vendosi që secilit prej operatorëve ekonomik të transportit detar t'i jepet e drejta të operojë 7 ditë në javë. "Gjithashtu duhet të zbatohet një grafik i alternuar dhe i ekuilibruar. Duhet të mbulohet me shërbim cilësor dhe të plotësohen maksimalisht kërkesat për transport të pasagjerëve dhe mjeteve, çdo ditë të javës", thuhet në njoftimin për shtyp të MTI-së.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)