PORTUGALI- Opozita e udhëhequr nga socialistët në Portugali bëri thirrje qendrës së djathtë, e cila është në pushtet, të japë dorëheqjen. Ky veprim vjen për zëvendësimin e ministrit të Financave, Vitor Gaspar, nga Sekretarja e Thesarit, Maria Luis de Albuquerque.

"Vendi ka nevojë për një qeveri të re, që të rregullojë llogaritë publike, nëpërmjet rritjes së vendeve të punës. Një qeveri e re, që të bashkojë Portugalinë dhe jo ta ndajë atë”, është shprehur zëdhënësi i Partisë Socialiste, Joao Ribeiro.

Largimi i Gasparit shënon një tjetër goditje për vendin, e cila është përfshirë nga kriza e borxhit e shkaktuar nga qeveria e mëparshme socialiste, e cila u rrëzua në pranverën e vitit 2011.

Qeveria e qendrës së djathtë e kryesuar nga Social-Demokratët kanë qeverisur që prej atëherë në një koalicion me të djathtën CDS. Largimi i tij vjen pak para rishikimit më 15 korrik, të ndihmës së vendit nga kreditorët e saj ndërkombëtarë.

Ai ka qenë një zyrtar i vlerësuar nga kreditorët e BE-së dhe FMN-së për mbajtjen nën kontroll të financave portugeze pas kërkesës së vendit për një paketë ndihmë në vitin 2011.
Gaspar në letrën e dorëheqjes, të cilës i referohet agjencia e lajmeve “Reuters”, deklaron se, dështimi në frenimin e defiçitit publik dhe reduktimin e borxheve kanë minuar besueshmërinë e tij.

Ai shpresonte se dorëheqja e tij do të forcojë kohezionin e koalicionit qeveritar në një moment sfidash dhe rreziqesh të mëdha për Portugalinë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)